Vijojnë pa rezultat kërkimet për turistin çek, Pavel Pospisil, 68 vjeç, i cili prej disa ditësh rezulton i zhdukur. Për herë të fundit ai u pa në zonën e plazhit të Durrësit, më 12 shtator, të premten e kaluar, rreth orës 11:00. Ai u tha familjarëve se po largohej nga hoteli ku po qëndronte për një shëtitje. Por që prej atij momenti, ka humbur çdo kontakt me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Më 13 shtator, ai u shpall zyrtarisht i humbur dhe policia nisi kërkimet.
Një ditë më parë, ambasada çeke në Tiranë iu drejtua publikut me një thirrje për ndihmë, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve në gjetjen e Pospisil. Ambasada dhe familja i bëjnë thirrje qytetarëve që për çdo informacion të mundshëm të kontaktojnë menjëherë me policinë shqiptare, për të ndihmuar në gjetjen e 68-vjeçarit.