Policia ka përjashtuar pistën e një ngjarjeje aksidentale lidhur me vdekjen e biznesmenit italian, Edoardo Sarchi. Hetimet e deritanishme kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një atentat.
Burime policore bëjnë me dije se pista kryesore lidhet me një konflikt banal mes viktimës dhe një personi tjetër, për shkak të përdorimit të dritave të gjata të automjetit.
Biznesmeni italian i një fabrike tullash në Lakrapë të Tiranës, në momentin e ngjarjes ka qenë në shoqërinë e Eqrem Braçit dhe dy djemve të tij, në afërsi të Salarisë në Tepelenë, ku kishin dalë për gjah.
Këta të fundit janë shoqëruar në ambientet e policisë, ku kanë dhënë për mbi 12 orë shpjegime për rrethanat e ngjarjes.
Burime bëjnë të ditur se, referuar dëshmisë së tyre, ata ishin duke lëvizur në këtë zonë me dy automjete fuoristradë. Ata kanë pohuar se kanë dëgjuar disa të shtëna afër tyre dhe kanë ndaluar mjetet.
Tek njëra nga makinat tip Land Rover ishte biznesmeni italian dhe njëri prej personave të shoqëruar. Pasi kanë qëndruar për 2 minuta, është dëgjuar një breshëri tjetër dhe direkt në rrugën e tyre është shfaqur një person me armë automatike në dorë, i cili qëlloi në drejtim të mjetit të tyre.
Në këto momente ata janë fshehur pas makinës. Plumbat kanë prekur mjetin duke çarë gomat, ndërsa një prej predhave plagosi në këmbë Edoardo Sarchin, duke i dëmtuar arterien kryesore.
Dyshohet se biznesmeni italian është goditur nga një plumb rikoshet në pjesën e këmbës së djathtë. Menjëherë pas kësaj, Eqrem Braçi dhe dy djemtë e tij lajmëruan policinë.
Pasi mbërriti ambulanca, biznesmeni italian kishte ndërruar jetë. Në polici u shoqëruan tre anëtarët e familjes Braçi, si dhe një bari i zonës, të cilët më pas u lanë të lirë. Burime shtojnë se policia ka disa detaje për autorin e dyshuar, por për momentin janë në fazën e verifikimeve.
/vizionplus