Qeveria e Azerbajxhanit ka vendosur të zgjasë mbylljen e kufijve tokësorë për qytetarët deri më 1 janar 2026, duke e bërë vendin e vetëm në botë që vijon zbatimin e kufizimeve të vendosura që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19 në vitin 2020.
Vendimi u nënshkrua nga kryeministri Ali Asadov më 22 shtator 2025, duke shtyrë afatin e mëparshëm të përcaktuar për 1 tetor të këtij viti. Masa është pjesë e “regjimit të veçantë karantine”, i cili qëndron në fuqi që prej pranverës së vitit 2020.
Ndryshe nga pjesa dërrmuese e vendeve të botës që kanë hequr kufizimet, Azerbajxhani ka zgjedhur të ruajë një politikë të mbylljes tokësore, duke lejuar vetëm fluturimet ajrore për hyrje dhe dalje nga vendi.
Që prej marsit 2023, udhëtimet me avion janë rikthyer në normalitet dhe nuk kërkohet më test PCR apo certifikatë vaksinimi. Megjithatë, kufijtë tokësorë mbeten të mbyllur për qytetarët dhe turistët, përveç rasteve të veçanta si transporti i mallrave.
Autoritetet në Baku e justifikojnë këtë vendim me nevojën për të shmangur rreziqe të reja shëndetësore, por shumë analistë ndërkombëtarë e konsiderojnë këtë si një formë të izolimit të pazakontë në një kohë kur pjesa tjetër e botës ka kaluar prej kohësh në një fazë tjetër të menaxhimit të pandemisë.
Megjithatë, në raste të veçanta, si gara e Formula 1, qeveria ka zbatuar politika lehtësuese për vizat dhe hyrjet e përkohshme.