Ndër qytetet më të papërballueshme në Europë – çmimet e banesave në Tiranë janë rritur trefish brenda një dekade, ndërsa pagat nuk i kanë mbajtur ritmin.
Blerja e një apartamenti në Tiranë është shndërruar në një mision të pamundur për shumicën e qytetarëve që jetojnë vetëm me pagë. Çmimet e banesave janë rritur me ritme marramendëse gjatë dekadës së fundit, ndërsa rritja e pagave ka qenë shumë më e ngadaltë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë sigurimin e një strehe.
Sipas përllogaritjeve të revistës ekonomike Monitor, në vitin 2014 duhej të punoje 13.1 vite me pagë reale për të blerë një apartament mesatar në Tiranë. Sot, në vitin 2024, për të njëjtin apartament 70 m² duhen 18.6 vite punë – ose 15.9 vite nëse llogaritet paga nominale.
Në vitin 2014, një apartament kushtonte mesatarisht 820 euro/m², ose rreth 56,000 euro në total. Sot, çmimi ka arritur në 2,100 euro/m², duke e çuar koston e një apartamenti standard në rreth 147,000 euro – gati trefish më shtrenjtë.
Krahasuar me qytetet europiane të analizuara nga Deloitte, Tirana është ndër më të papërballueshmet. Në Amsterdam duhen 15.4 vite pagë për të blerë një banesë, në Athinë 15.3 dhe në Pragë 15. Tirana, me 18.6 vite punë të nevojshme për një apartament, i tejkalon të gjitha. 📉 Kriza e strehimit thellohet: paga rritet ngadalë, çmimi i shtëpisë fluturon
Pavarësisht rritjes së pagës mesatare në Shqipëri në vitin 2024 në 77,500 lekë/muaj, paga reale (e indeksuar me inflacionin) është 66,100 lekë, çka tregon se fuqia blerëse e qytetarëve nuk ka ndjekur rritjen e kostos së jetesës.
Kurse çmimet e apartamenteve janë rritur me ritme prej 30–40% në vit, sipas të dhënave nga KeyData dhe Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, një ndihmë e pjesshme ka ardhur nga rënie e kursit të euros, që e ka ulur disi barrën për blerësit që paguajnë në lekë.
⚠️ Strehimi i papërballueshëm po nxit qiradhënien dhe emigracionin
Ekspertët theksojnë se kriza e strehimit në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më alarmante. Shumë të rinj dhe familje të reja janë të detyruar të jetojnë me qira për periudha të gjata ose të kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit.
Shkaqet e kësaj krize përfshijnë:
Rritjen e kostove të ndërtimit dhe pagave në sektorin e ndërtimit
Taksat e larta bashkiake
Rritjen e çmimeve të referencës, që rrit automatikisht taksat
Pastrimin e parave dhe ekonominë informale, që fryjnë çmimet
Kërkesën e huaj në zonat turistike
🔍 Tirana, ndër më të shtrenjtat në Europë për shtëpi, krahasuar me fuqinë blerëse
Sipas të dhënave të platformës Numbeo për vitin 2025, një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 16.3 vite pune për të blerë një apartament – koha më e gjatë në të gjithë Europën. Ky indikator përdoret gjerësisht për të matur krizën e strehimit dhe nivelin e presionit që qytetarët ndiejnë për të siguruar një shtëpi.
🔔 Ndërkohë që tregu i banesave vazhdon të çmendet, politika publike për strehimin mungon. Në vend që të ndërhyhet me subvencione, kredi të buta ose projekte publike strehimi, diskursi politik vazhdon të mburret me “rritjen e vlerës së pronës”.