Zv/kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrasturkturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zbuloi rregullat e reja që do të zbatohen me hyrjen në fuqi më 12 tetor të sistemit elektronik që regjistron hyrjet dhe daljet e qytetarëve jo të BE-së kur udhëtojnë drejt ose nga zona Shengen.
Sistemi funksionon nëpërmjet regjistrimit, i cili bëhet në kufi përmes të dhënave biometrike (foto + gjurmë gishtash), i cili është i vlefshëm për 3 vite.
Qytetarët nuk duhet të harrojnë rregullin 90/180 ditë, pasi qëndrimi në zonën Shengen lejohet maksimumi 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.
Mbledhja dhe regjistrimi i të dhënave do të fillojë gradualisht në pikëkalimet kufitare nga data 12 tetor 2025, dhe zbatimi i plotë do të jetë brenda 10 prill 2026.
Sistemi i regjistrimit të hyrje-daljeve (EES), i cili është sistem i automatizuar me vetëshërbim mbledh të dhëna për emrin, datëlindjen, shtetësinë, gjininë, dokumentin e udhëtimit, imazhin (fytyrën) dhe gjurmët e gishtave.
EES regjistron datën dhe vendin e hyrje-daljes nga një shtet evropian që përdor këtë sistem si dhe refuzimet e hyrjes, nëse ndodh.
Punonjësit e policisë së kufirit do të ndihmojnë dhe do të mbikëqyrin procesin./Top Channel,