Në zonën e njohur si “Te Pamja”, aty ku dikur njerëzit shkonin për të parë horizontin apo për të kaluar disa çaste qetësie, sot mbizotëron një pamje krejt tjetër. Në vend të gjelbërimit dhe qetësisë, toka është mbuluar me kanaçe, shishe plastike dhe mbetje ushqimore.
Çiftet që shkojnë në këtë vend për të kaluar mbrëmje romantike, duket se e përfundojnë “romancën” duke hedhur gjithçka që kanë konsumuar: mbeturinat e ushqimit, shishet e pijeve dhe çdo lloj ambalazhi që i ka shërbyer darkës së tyre nën dritën e hënës.
Rezultati është një mjedis i ndotur, që nga larg të jep përshtypjen e një vendi turistik, por nga afër ngjan më shumë me një depo mbeturinash.
Qytetarët që kalojnë aty gjatë ditës janë të irrituar dhe të lodhur nga kjo situatë. “Te Pamja” nuk është më një vend ku shkon për të shijuar natyrën, por për të parë se si mungesa e kulturës dhe respektit për ambientin mund ta kthejë një vend të bukur në turp publik.