Si mund të përfitojë Berisha nga shembulli i Dodikut

Mero Baze
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, duket se po largohet nga jeta politike në Bosnjë në shkëmbim të heqjes së sanksioneve të vendosura në vitin 2017 nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së, për pengimin aktiv të zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, përmes sfidimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës.

Fuqia ligjore për vendosjen e tyre rrjedh nga Urdhri Ekzekutiv nr. 13304, i nënshkruar që në vitin 2003 nga Presidenti George W. Bush, i cili autorizon Departamentin e Thesarit të vendosë sanksione ndaj personave që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit ose minojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Sanksionet përfshinin ngrirjen e çdo pasurie të Dodikut nën juridiksionin amerikan dhe ndalimin për qytetarët dhe kompanitë amerikane që të bënin transaksione me të.

Presidenti i SHBA-së nuk e ka nënshkruar personalisht vendimin kundër Dodikut, por Departamenti i Thesarit ka zbatuar urdhrin ekzekutiv ekzistues si bazë ligjore për sanksionin.

Heqja e sanksioneve ndaj Dodikut në shkëmbim të largimit të tij nga jeta politike rrit shanset e integrimit të Bosnjë-Hercegovinës në Bashkimin Evropian dhe zhbën një vatër të fortë të ndikimit rus në zemër të Ballkanit, e cila po kthehej në një model shkatërrues për stabilitetin e vendeve që kanë probleme me Serbinë, përfshirë edhe Kosovën.

Heqja e sanksioneve kundrejt largimit nga politika, në një farë mënyre, arrin qëllimin e sanksioneve në këtë rast, pasi ato ishin pikërisht për të zhdukur rrezikun e minimit të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila është strumbullari i paqes në Bosnjë.

Fakti që udhëheqësi ultranacionalist serb, që është figura më e dashur e Kremlinit në Ballkan, arriti ta negociojë fatin e tij me SHBA-në kundrejt ikjes nga politika, është një shembull i mirë edhe për udhëheqës të tjerë të sanksionuar në Ballkan, edhe pse në këtë rast Dodik është sanksionuar për motive gjeopolitike dhe të sigurisë kombëtare.

Sali Berisha, ndryshe nga Dodik, është sanksionuar nga Departamenti i Shtetit për minimin e demokracisë, shantazh ndaj sistemit gjyqësor dhe përfshirje në korrupsion madhor bashkë me familjen e tij.

Deri më sot, asnjë i sanksionuar nga Departamenti i Shtetit nuk është liruar nga sanksionet, ndërkohë që të sanksionuarit nga Departamenti i Thesarit e kanë praktikë normale rishikimin e sanksioneve kundrejt reflektimit në politikat e tyre.

Në këtë rast, Sali Berisha do të bënte mirë të negocionte me SHBA-të pikërisht atë që bëri Dodik: të largohej nga politika, ai dhe familja e tij, të çlironte energjitë e reja në PD dhe të çlirohej nga sanksionet — edhe pse ato janë të mbështetura në historinë e tij tridhjetepesëvjeçare kundër demokracisë në Shqipëri dhe kapjes së shtetit.

Por meqë ai vuan më shumë ndarjen nga historia sesa nga pushteti, do të ishte një shans i mirë për të, që të provonte se nuk ka ambicie për pushtet as ai dhe as familjarët e tij të sanksionuar, dhe se janë gati të tërhiqen në jetën e tyre për të lënë të lirë opozitën dhe PD-në të zgjedhë vetë fatin e saj, pa e lidhur me fatin e sanksioneve të tyre familjare.

Dodik, një udhëheqës ku ka investuar gjithë politika ruse në Ballkan, në fund zgjodhi fatin e vet dhe të familjes së tij.

Nuk besoj se Berisha është më peng se Dodik që duhet të rrijë domosdo në krye të PD-së, qoftë edhe “non grata”.

Pavarësisht dëmeve që i ka sjellë këtij vendi, minimit të demokracisë, qysh nga viti 1996, zhytjes se vendit ne anarki e vëllavrasje, përfshijes së tij dhe familjarëve të tij në korrupsion madhor dhe shantazhimit te sistemit të drejtësisë, ai mund të marrë shembull nga Dodik, se si të negociojë fundin e tij politik me dinjitet.

Related Posts

“Të dua, do flasim…”: stjuardesa greke humbi jetën në fluturim, partneri rrëfen mesazhin e fundit

GREQI, 25 dhjetor 2025 Një stjuardese me origjinë greke ka humbur jetën pas rrëzimit të avionit me të cilin po punonte, ngjarje e ndodhur dy ditë më…

‘Ku shkon gjysëm e zhveshur?’ Bleona Qereti tregon përplasjen me Grabockën!

Bleona Qerreti ishte në kulmin e karrierës së saj në Shqipëri, kur në vitin 2005 vendosi për të ndjekur ëndrrën amerikane. Ajo shkoi në Los Angeles duke…

Viti i Ri sjell BEGATI e MIREQENIE! Këto janë 4 shenjat e zodiakut që do të bëjnë para me thasë

Janari 2026 hap kapitullin e vitit të ri në një mënyrë veçanërisht dinamike dhe premtuese, duke sjellë me vete një valë bollëku, fati dhe mundësish të rëndësishme…

“Dua të fejohem me vajzën tënde”, zbardhet dinamika e vrasjes së 20-vjeçarit Pavlin Preka në Shkodër

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Vasel Koçekun, 43 vjeç, dhe Klaudio Lisajn, 20 vjeç, të dy…

“Fijet e ‘Bankers’ çojnë te ish-ministrat”, Lala zbulon detaje: SPAK po heton rolet e Ahmetajt dhe Denajt

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka zbuluar detaje të reja mbi hetimet që po zhvillon SPAK lidhur me aferën e kompanisë Bankers Petroleum….

Balluku bën reagimin e parë online pasi SPAK kërkoi arrestimin

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është rikthyer në rrjetet sociale. Pas një heshtjeje që nga shfaqja e saj në Kuvend ku mbajti një fjalë pasi u thirr në SPAK…