Tiranë, 2 nëntor 2025 – Me zërin e dridhur dhe me lot në sy, Xhoana Nano, bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, mbajti një fjalim të ngarkuar me emocione në ceremoninë shtetërore të homazheve, ku u nderua jeta dhe vepra e liderit historik të Partisë Socialiste.
Ajo e përshkroi këtë ditë si më të errëtën e jetës së saj, duke kujtuar me dashuri, mirënjohje dhe krenari burrin me të cilin ndau një çerek shekulli jetë e përkushtim.
“Fatosi ishte shumë më tepër se një figurë publike. Ishte i vërtetë, i ndershëm, nuk urrente asnjë, falte dhe donte me shpirt,” – tha Xhoana Nano mes lotësh. “Faleminderit që më deshe dhe që më dhe mundësinë të të dua. Faleminderit që ishte ky që ishe, për mua, për ne, për vendin tonë.”
Në fund të fjalimit, ajo e mbylli me një mesazh prekës:
“Do të mbetesh përherë në kujtesën tonë, jo vetëm si burrë shteti, por si njeriu ynë. U prehsh në paqe pranë Zotit.”
Ceremonia shtetërore u zhvillua në nder të Fatos Nanos, një prej figurave më me ndikim të tranzicionit politik shqiptar, duke mbledhur personalitete të shumta nga jeta politike dhe publike e vendit.