Lirie Delishi, 25 vjeçe, do të dërgohet në burgun e Pojskës për të vuajtur një dënim katërmujor
Një nënë shqiptare e tre fëmijëve, përfshirë një foshnjë të porsalindur, është bërë gruaja e parë që ekstradohet nga Britania drejt Shqipërisë për të vuajtur një dënim me burg.
Gjykatësi John Zani mbështeti kërkesën për ekstradimin e Lirie Delishit, 25 vjeçe, pasi arriti në përfundimin se rreziku që Britania të shihej si një “strehë e sigurt” për persona të kërkuar, ishte më i madh sesa pretendimet e saj se ekstradimi do të cenonte të drejtën për jetën familjare, të garantuar nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ).
Prokurorët shqiptarë kanë kërkuar ekstradimin e Delishit që ajo të vuajë një dënim katërmujor, pasi u kap duke përdorur një pasaportë rumune të falsifikuar, teksa po përpiqej të udhëtonte nga Tirana në Romë në vitin 2019.
Ajo ishte shtatzënë me fëmijën e saj të tretë kur apeloi vendimin në një seancë ekstradimi në Gjykatën e Westminster-it, duke thënë se do të ishte “tmerr” që dy fëmijët e saj më të mëdhenj të ndaheshin nga ajo dhe nga motra ose vëllai i porsalindur.
Lirie Delishi
Ajo tha se partneri i saj, i identifikuar si Edmond, me gjasë do të humbiste muajt e parë të jetës së foshnjës së tyre të tretë. “Do të jetë shumë e vështirë për mua të jem larg tij gjatë atyre muajve kaq të rëndësishëm dhe do të më marrë malli pafund për fëmijët e mi të tjerë,” tha Delishi.
“E di që Edmondi do të duhet të ulë orët e punës, ose ndoshta të mbyllë njërin prej bizneseve për t’u kujdesur për fëmijët. Kjo mund të na detyrojë të shesim shtëpinë. Mundohem të mos mendoj për ekstradimin, për shkak të ndikimit që do të ketë te familja ime”, shtoi ajo.
Partneri i saj paraqiti prova se ai drejtonte dy biznese në Britani: një kompani ndërtimi me një punonjës tjetër dhe një lavazh makinash ku punonin vëllai i tij dhe dy persona të tjerë.
“Mendoj se do të duhet të mbyll të paktën njërin. Kjo do të thotë që dikush mund të mbetet pa punë,” tha ai në gjykatë.
Megjithatë, gjyqtari Zani e rrëzoi apelin, duke deklaruar: “Është shumë e rëndësishme që Mbretëria e Bashkuar të shihet si një vend që respekton detyrimet e saj ndërkombëtare të ekstradimit.
MB nuk duhet të konsiderohet një ‘strehë e sigurt’ për ata që kërkohen nga vende të tjera të KEDNJ-së, qoftë për t’u gjykuar, qoftë për të vuajtur dënimin me burg.
Sipas gjykatës, vepra penale e përshkruar në Urdhrin Evropian të Arrestimit është e rëndë dhe, nëse do të ishte kryer në Britani, një dënim me burg mund të jepej po ashtu. “Kjo gjykatë arrin në përfundimin se personi i kërkuar është një i arratisur nga drejtësia.”
Ai shtoi se gjykata e kupton vështirësinë që ekstradimi do t’i shkaktojë të pandehurës, partnerit të saj dhe fëmijëve të vegjël. “Por kjo, vetë në vetvete, nuk mjafton që një urdhër ekstradimi të mos jepet.”
Apeli në pritje
Delishi ndodhet ende në Britani në pritje të apelimit të vendimit, por pritet të vuajë dënimin në burgun e vetëm për gra në Shqipëri – burgun e Pojsës – në perëndim të vendit, me kapacitet rreth 110 gruaje.
Ajo ka studiuar inxhinieri kompjuterike në Shqipëri, ku u diplomua në vitin 2019, përpara se të shkonte në Britani për t’iu bashkuar partnerit të saj, të cilin e kishte njohur në vitin 2018.
“Nuk kam bërë një martesë zyrtare me bashkëshortin tim, por e konsiderojmë veten të martuar sepse kemi jetuar bashkë që prej vitit 2019 dhe kemi fëmijë së bashku,” tha ajo para gjykatës.
“Unë isha ende në universitet, ndaj e përfundova shkollën përpara se të vija në Britani. Erdha shumë shpejt pas diplomimit. Kam një familje të madhe në Shqipëri dhe kam marrëdhënie të mira me ta, por jeta ime është në Britani. Jam e vendosur këtu me bashkëshortin dhe fëmijët e mi. Nuk mund ta përballoja mendimin e të qenit e ndarë prej tyre.
Familja ime është shumë e turpëruar për këtë çështje, sepse nuk vij nga një familje që futet në telashe. Para këtij rasti nuk kam pasur asnjë dënim në Shqipëri apo në Britani.” /noa.al