Me sa duket tifozët anglezë nuk kanë qenë të vetmit që e kanë tepruar me alkoolin në ditën e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Anglisë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përgjegjësit për muzikën në stadiumin “Air Albania”, të cilët kanë dhuruar një skenë absurde në përfundim të ndeshjes të fituar nga “tre luanët”.
Në momentin kur gjyqtari i vërshëlleu bilbilit për mbylljen e takimit, nga altoparlantët e stadiumit kombëtar, shpërthyen tingujt e një kënge të njohur. “Mos qaj”, të grupit “Djemtë e Detit”.
Për ata që nuk e njohin lidhjen e kësaj kënge me futbollin, tifozeritë rivale në Shqipëri ia kushtojnë njëra-tjetrës si tallje pas humbjeve.
Ndaj ishte absurde që qoftë për pak sekonda, kjo kënge dhe vargjet e saj u dëgjuan në stadium si tallje për Shqipërinë. Aq më tepër që vargjet e saj, në një ambient ku kishte dukshëm prani të madhe minorenësh, nuk përshtaten me atë lloj ambienti.
Këto janë vargjet që u dëgjuan në stadium para se të ndërpritej muzika dhe të kalohej në një këngë tjetër.
“I zhytur në mendime / Për ëndrrat pa mbarim / Për ty si shpëtimtar / Veç droga kish kuptim/ Mos qaj”