Reshje të dendura dhe rritje e prurjeve në lumenj – Autoritetet monitorojnë situatën. Shqipëria pritet të përballet me reshje me intensitet të lartë gjatë pasdites së së hënës (17 nëntor) dhe ditës së martë (18 nëntor), duke sjellë një sërë zhvillimesh që po ndiqen me vëmendje nga autoritetet përkatëse.
Sipas parashikimit zyrtar të motit, reshjet do të prekin të gjithë territorin, me intensitet më të lartë në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër, ku mund të shfaqen përkohësisht vërshime të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash.
Në zonat urbane, sipas gjendjes së infrastrukturës së kanalizimeve, nuk përjashtohen përmbytje të lokalizuara.
Autoritetet sinjalizojnë se prurjet e shtuarat mund të prekin rrjedhat kryesore, përfshirë lumenjtë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë, me theks të veçantë në zonat e mesme dhe të ulëta. Për momentin, situata mbetet e qetë, por është në vëzhgim të vazhdueshëm.
Kushtet atmosferike për datat 17–18 nëntor
Reshjet
Reshje shumë intensive priten në qarkun Shkodër.
Në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet do të jenë nga intensive deri lokalisht shumë intensive.
Pjesa tjetër e vendit do të ketë reshje mesatare, me mundësi për shtrëngata të izoluara.
Temperaturat
Për të martën, temperaturat do të sillen në këto vlera:
Bregdeti: nga 15°C deri në 20°C
Zona të ulëta: nga 15°C deri në 20°C
Zona malore: nga 9°C deri në 14°C
Era
Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë, veçanërisht në zonat bregdetare, gjatë së hënës pasdite dhe gjatë ditës së martë. /noa.al