Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë shkollës “Dom Nikollë Kaçorri” në Durrës, ku një 15-vjeçar u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale. Goditja në zonën e zemrës e vuri adoleshentin në rrezik për jetën, ndërsa mjekët kanë arritur ta nxjerrin nga intubimi. Gjendja e tij mbetet kritike dhe ai po monitorohet intensivisht.
Babai i të miturit, i tronditur nga ngjarja, tregoi se djali i tyre po lufton për t’u përmirësuar.
“Kemi dalë nga gjendja e rrezikut. Presim reagimin e trurit dhe më pas të dalim nga intubimi… Parametrat janë optimale. Kemi një problem të ulur, por një trajektore të mirë. Do të shihen reagimet e djalit, maksimumi brenda dy ditësh. Gruaja është në gjendje jo të mirë… Ata kanë debatuar dhe janë sharë me njëri-tjetrin në TikTok për protagonizëm. Ia lëmë dhe shtetit pjesën tjetër”, tha ai. Po ashtu, ai shtoi: “Kanë qenë të paktën tre veta të përfshirë. Djali im nuk ka qenë protagonist, ka qenë një tjetër”.
Ndërkohë, banorët e zonës shprehen të tronditur nga niveli i dhunës mes të miturve, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.