Një video e pazakontë dhe mjaft gazmore ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Australia e largët, e dërguar nga një shqiptar që jeton atje.
Siç shihet edhe në pamjet që ai ka ndarë me ne, shqiptari është përballur me një skenë që për australianët është e zakonshme, por që këtë herë kishte diçka ndryshe. Bëhet fjalë për një kangur, i cili shihet duke “kërcyer” nëpër rrugët e lagjes, duke përshkuar një distancë të konsiderueshme pa u shqetësuar aspak.
Situata bëhet edhe më komike kur shqiptari vendos ta ndjekë kangurin me makinë, ndoshta për ta pyetur se pse e kishte me aq nxitim, por kanguri duket se nuk e ka pasur fare në plan të ndalojë. Madje, sipas tij, e ka injoruar totalisht, sikur të thoshte: “Kam punë, flasim herë tjetër”.
Në një moment, kanguri duket se lëviz më shpejt se makina, duke e detyruar shqiptarin ta ndjekë nga pas pa arritur ta “kapë”, sikur sfida mes tyre të ishte e humbur që në nisje.
Kjo nuk është aspak e papritur, duke pasur parasysh se kangurët mund të arrijnë shpejtësi deri në 70 km/h, duke i lënë pas edhe mjetet motorike në distanca të shkurtra.
Mesazhi i shqiptarit nga Australia i dërguar në redaksinë tonë:
“Unë jetoj në Bowral, në New South Wales, dhe shpesh pas punës shoh kangurë pothuajse çdo natë. Por ky rast më bëri vërtet të qesh. Një kangur përshkoi gjithë lagjen duke kërcyer nëpër rrugë. U përpoqa t’i shkoja pas dhe ta pyesja se ku po shkonte, por ai më injoroi.”
Një moment i thjeshtë, spontan dhe shumë simpatik, që tregon se Australia mbetet vendi ku edhe një shëtitje lagjeje mund të kthehet në aventurë…