Një moment i veçantë dhe plot emocion ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një emigrant shqiptar që jeton dhe punon në Francë, i cili ka ndarë një video nga festa e fundvitit me kolegët e tij të punës.
Në pamje shihet se si kolegët francezë të të riut shqiptar festojnë dhe kërcejnë nën ritmet e muzikës popullore shqiptare, duke interpretuar vallen pogonishte, në një atmosferë plot gëzim dhe respekt për kulturën e kolegut të tyre.
Sipas mesazhit të dërguar në redaksi, iniciativa ka ardhur nga vetë emigranti shqiptar, i cili ka dashur të ndajë një copëz të traditës dhe kulturës sonë në një moment festiv me stafin ku punon. Reagimi i kolegëve të tij ka qenë i menjëhershëm dhe shumë pozitiv, duke e shijuar muzikën dhe vallen shqiptare me entuziazëm.
Ai shprehet se momente të tilla i kujtojnë se sa e bukur është ndarja e kulturës sonë jashtë kufijve dhe se, pavarësisht vështirësive që shoqërojnë jetën e emigrantit, ka çaste që të mbushin zemrën me krenari.
Në mesazhin e tij, emigranti shqiptar përcjell edhe një urim për të gjithë bashkatdhetarët kudo që ndodhen, veçanërisht për ata që janë larg familjeve dhe atdheut:
“Si emigrant që jetoj në Francë, momente të tilla më kujtojnë sa bukur është të ndajmë kulturën tonë. E di që për shumë prej nesh jeta jashtë nuk është gjithmonë e lehtë, por nga zemra ju uroj një Vit të Ri të mrekullueshëm, plot dashuri, shëndet dhe energji të mirë.”
Videoja ka ngjallur emocione pozitive, duke treguar se kultura shqiptare jo vetëm respektohet, por edhe përqafohet, edhe larg Shqipërisë.
Një moment i thjeshtë, por me shumë domethënie, që dëshmon se shqiptarët kudo që janë, dinë të mbajnë gjallë traditat dhe t’i ndajnë ato me krenari.