Tiranë, 23 dhjetor 2025 Biznesmeni Gerond Meçe ka zbardhur përpara prokurorëve dhe në emisionin “Në shënjestër” detaje tronditëse nga pesë orët e pengmarrjes së tij, ku sipas dëshmisë, u kërcënua rëndë për të mos bërë kallëzim në polici, ndërsa pengmarrësit kërkonin tërheqjen e kompanisë së tij nga procedurat e prokurimit publik.
Sipas dosjes hetimore, personat që e kishin marrë peng përdornin telefonin e Meçes për të komunikuar me administratorin e kompanisë së tij përmes aplikacionit WhatsApp, duke ushtruar presion për tërheqjen nga procedurat, pasi qëllimi i tyre nuk po realizohej. Për të shmangur dyshimet, ata e lejuan Meçen të fliste edhe me bashkëshorten, duke e siguruar se ishte mirë.
Në dëshminë e tij, Meçe tregon se gjatë kohës që mbahej i prangosur në automjet, arriti të kuptonte nga dialekti se disa prej pengmarrësve ishin nga Elbasani. Ai dëgjoi gjithashtu diskutime të vazhdueshme mes tyre për mungesën e “konfirmimit”, ndërsa ora shënonte rreth 15:10.
Hetimet ngrenë dyshime se lirimi i Meçes, rreth orës 16:20 të 12 gushtit 2025, ndodhi vetëm pasi u sigurua konfirmimi për tërheqjet e depozituara në sistemin e Komisionit të Prokurorimeve Publike. Vetë biznesmeni ka shprehur bindjen se pas këtij skenari mund të qëndrojnë persona me lidhje apo autoritet brenda institucioneve përkatëse.
Para lirimit, sipas rrëfimit, pengmarrësit i kanë përmendur familjarët dhe e kanë kërcënuar hapur që të mos bëjë denoncim. Gjatë kthimit, automjeti ka përdorur sirenë policie për të hapur rrugën, ndërsa itinerari është ndryshuar disa herë pas një telefonate të marrë nga grupi.
Meçe u la rreth 200 metra larg rrethrrotullimit të autostradës Elbasan–Tiranë, pa telefon dhe pa para, ndërsa sendet personale, përfshirë laptopin, nuk iu kthyen, pavarësisht premtimeve. Vetëm rastësia bëri që ai të kthehej në banesë dhe më pas në zyrën e tij të punës.
Në vijim të dëshmisë, biznesmeni ka përmendur edhe emra konkretë, mes tyre atë të Ermal Beqirit, për të cilin pretendon se ka lidhje të forta brenda AKSHI-t, duke e konsideruar si një nga personat që mund të kenë pasur rol kyç në organizimin e ngjarjes.
Ngjarja ka alarmuar edhe familjen e Meçes, e cila, pasi humbi kontaktet me të për disa orë, nisi verifikimet në komisariate dhe në SPAK, duke dyshuar se ai ishte rrëmbyer. Hetimet mbi rastin vijojnë.
Meçe thotë se here pas here personat që e kishin marrë peng komunikonin nga telefoni i tij me administratorin e kompanisë së tij, nëpërmjet aplikacionit ëhats app.
Po kështu duke ia dhënë telefonit edhe vetë Gerondit, me qëllim tërheqjen e kompanisë nga procedurat. Kjo për shkak se nuk po realizohej qëllimi i tyre për tërheqje. Për të qetësuar situatën ai tha po kështu se ata e lejuan të fliste edhe me gruan, të cilën e garantoi se gjithçka ishte mirë.
“Gjatë kësaj kohe ata më lejuan të flas edhe me gruan të cilës i thashë që:
Jam mirë, kam ca punë, do të të marr më vonë. Ndërkohë që gjatë kësaj kohe telefoni im binte pa pushim ku pashë që ishte vëllai im.
Unë fola me të dhe i thashë: ‘Nuk ke pse të shqetësohesh por fol me administratorin, Mimin’.
Por ndërkohë që po qëndronte i prangosur te makina dhe në kujdesin e dy rojeve të tij, ai mëson që këta të fundit ishin nga Elbasani.
Të paktën nga dialekti, duke qenë se ai vetë është nga kjo zonë.
Ndërsa po kështu mëson se njëri prej tyre sapo ishte bërë baba.
Ndërsa dy personat po prisnin me mua në makinë, ata më pyetën: ‘Edhe sa zgjat kjo procedurë?’
Gjithashtu në këtë moment ata pyetën edhe personin e parë se: ‘Çfarë po presim?’
Teksa ai u tha që: ‘S’kemi konfirmim’.
Ndërkohë që ora përballë në makinë shënonte në këtë moment 15:10.
Ka dyshime se grupi që mori peng biznesmenin Gerond Meçe, e liroi atë rreth orës 16:20 të datës 12 Gusht 2025, vetëm pasi mori konfirmim për tërheqjet e depozituara nga kompania në sistem të KPP.
Vetë biznesmeni Gerond Meçe e lidhi këtë dyshim me faktin që nga eksperienca, personat të cilët organizuan rrëmbimin dhe kërcënimin ndaj tij duhet të kenë një autoritet apo lidhje brenda KPP, që ka aftësinë dhe kompetencën për ta verifikuar.
Në këtë dyshim ai përmendi edhe emrin e një anëtari të KPP, që sipas tij është i lidhur me biznesmenin Ermal Beqiri.
Me të cilin Gerond Meçe tregoi se kishte konflikte të vazhdueshme, në fushën e tij të operimit.
Por edhe pse orët po kalonin, grupi i pengmarrësve nuk kishte ndërmend të lironte biznesmenin.
Mesa duket kjo pasi ata prisnin një garanci, që familjarët e tij të mos bënin kallëzim në polici.
Gjë që pasi sigurohen që nuk ka ndodhur, vendosin më në fund ta lënë të lirë.
Por fillimisht para se ta lirojnë, ata i përmendin gruan dhe fëmijët.
“Pasi personi i tretë shkoi te bagazhi i makinës, aty u afrua personi i parë i cili i tha që: ‘Në polici nuk ka denoncim.’
Në orën 16.20 të gjithë u futëm në makinë, siç ishim në fillim dhe morën rrugën për t’u nisur drejt Elbasanit, nga rruga e vjetër.
Këtu ku pas urdhërit të shoferit, personat që kisha në krah, më hoqën prangat.
Shoferi i cili më tha ndërkohë: ‘Hap sytë, po shikon ku je’.
Të cilit unë iu përgjigja se: ‘E di shumë mirë se ku jam, pasi jam vetë nga Elbasani dhe këtu jemi në Gracen’.
Por sipas rrëfimit më tej të dhënë nga biznesmeni përpara SPAK, gjatë rrugës diçka ndryshoi.
Një person mori në telefon grupin e rrëmbyesve çka ndryshoi edhe destinacionin se ku ata do e zbrisnin atë që ishte pengu i tyre.
“Gjatë kthimit, grupi i rrëmbyesve përdori sirenën e policisë për të hapur rrugën.
Ku makina u fut në drejtim të fshatit Shijon, ndërkohë që në këtë moment një nga personat në makinë foli në telefon me dikë, i cili i tha të ndryshojë itinerar dhe ta kthenin makinën në rrugën nacionale.
Dhe kështu ndodhi. Makina u kthye dhe mua më lanë 200 metra afër rrethrrotullimit që futesh për në autostradën Elbasan-Tiranë.
Ku në momentin që po më linin, shoferi më tha se: ‘Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, gruan, motrën, nënën, se babë nuk ke ti’.
Por edhe pse i premtuan që do i kthenin laptopin dhe sendet e tjera personale që ata ia mbajtën, kjo gjë nuk duket se ndodhi.
Ndërkohë që biznesmeni u la në mes të rrugës pa telefon dhe pa para në xhep.
Ku vetëm rastësia, bëri që ai të kthehej në banesë.
Dhe të fillonte të mendonte të gjithë atë që kishte ndodhur.
Si dhe kush mund të ishin personat që kishin urdhëruar dhe organizuar rrëmbimin dhe kërcënimin e tij.
“Pasi më zbritën në rrugë, ata më dhanë me vete vetëm mbajtësen e kartave të kreditit si dhe syzet e diellit.
Ndërsa sendet e tjera, çantën e shpinës me laptopin brenda, atë të dorës dhe telefonin, premtuan se do i sjellin te recepsioni i qendrës së biznesit ku unë kam zyrën, por këto sende nuk ia kanë sjellë ende dhe sot.
Pasi zbrita nga makina unë dola në rrugën nacionale, drejt rrethrrotullimit tjetër të Bradasheshit, ku ndodhet karburanti. Rastësisht, duke pritur për makina të rastit apo autobus, aty kalon një makinë e zyrës time, që kishte qenë për punë në Berat.
Gjatë rrugës nuk i tregova asgjë shoferit tonë për atë që kishte ndodhur. Ndërkohë me të mbërritur në Tiranë, u ktheva direkt në zyrën time të punës”, ka dëshmuar Gerond Meçe.
I pyetur mbi dyshimet që ai kishte lidhur mbi personat e mundshëm që mund të kishin gisht në rrëmbimin dhe më pas atë që ndodhi, qëllimin për tërheqjen nga tenderat në AKSHI, apo edhe ankimimet, biznesmeni Gerond Meçe, u ndal te një emër që sipas tij mund të ishte strumbullari i gjithë këtij skenari.
Ky emër ishte biznesmeni Ermal Beqiri i cili kishte lidhje të forta brenda AKSHI-t.
Por edhe mik i Ergys Agasit, ku siç do të shikohet në vazhdim, ata shikohen shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Kjo bazuar edhe në filmimet që vetë Agasi ka ruajtuar.
Ndërkohë që ngjarja kishte alarmuar edhe vetë familjen, e cila kishte kuptuar se ai ishte marrë peng.
“Kur u ktheva në shtëpi, aty mora vesh që familja e kishte kuptuar që unë mund të isha rrëmbyer. Dhe ata po prisnin orën 18:00 për të bërë denoncim, kjo pasi kishim shkëputur kontaktet që nga ora 15:00.
Konkretisht, babai im kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte thënë gruas dhe nënës: ‘Më duket që Gerin e ka marrë policia’.
Në këtë kohë gruaja ime ka tentuar që të më marrë në telefon.
Më pas babai ka njoftuar vëllain, i cili ka shkuar dhe ka parë pamjet filmike të ngjarjes, të cilat i ka marrë në USB dhe ka identifikuar targën e makinës.
Më tej vëllai ka shkuar në të gjitha komisariatet e policisë për të pyetur nëse isha aty por nuk ka marrë asnjë informacion. Ndaj ka dyshuar për rrëmbimin tim, duke i rënë telefonit tim vazhdimisht.
Duke qenë se personat që kishin shoqëruar Gerond Meçen mbanin të veshur bluzë logon e stampuar të BKH, vëllai i tij ishte paraqitur po atë ditë edhe në SPAK.
Por nga aty ishte kthyer me përgjigje negative. Çka rriti edhe më shumë dyshimin te ai se i vëllai ishte rrëmbyer.
Por me t’u kthyer në zyrë, pasi u la i lirë, biznesmeni Gerond Meçe vuri re se ishin bërë tërheqje për më shumë procedura, nga sa i kishin treguar pengmarrësit në tabelën exel.
Ku ka mësuar se administratori i kompanisë së tij Sh. K, pasi ka hartuar dokumentet e tërheqjes ka shkuar t’i çojë dorazi në KPP (Komisioni i Prokurorimeve Publike) dhe në AKSHI.
Por kjo mënyrë dorëzimi dorazi nuk ishte pranuar nga KPP, pasi sipas tyre nuk lejohej si procedure. Për këtë arsye SH. K është detyruar në vijim që të bëjë tërheqje nga sistemi, gjë e cila ka përfunduar rreth orës 15:00 të datës 12 Gusht 2025./Në Shënjestër