Pasagjerët e një fluturimi të “Ryanair” për në Tenerife të Spanjës, u lënduan kur aeroplani hasi turbulenca të forta menjëherë pas ngritjes, duke e detyruar atë të bënte një kthim emergjent në aeroportin e nisjes.
Kompania ajrore tha se “një numër i vogël pasagjerësh morën ndihmë mjekësore”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sipas ‘Independent’, fluturimi FR1121, një Boeing 737 Max, u nis nga Birmingham në mesditë të dielën (28 dhjetor). Aeroplani u nis në orën 15:05 pasdite dhe rreth 40 minuta më vonë arriti në 37,000 këmbë ndërsa kalonte bregdetin francez dhe mbërriti në qytetin Morlaix në Brittany.
Në atë kohë, shërbimi i pasagjerëve ishte në zhvillim e sipër në kabinë kur avioni hyri në një zonë me turbulenca të forta. Pilotët morën vendimin për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.
Aeroplani u ul normalisht në Birmingham rreth 90 minuta pas ngritjes dhe u parkua në një vend të largët, ndërsa pasagjerët zbritën dhe u kthyen në terminal.
Në një deklaratë, Ryanair tha:
“Fluturimi FR1121 nga Birmingham për në Tenerife më 28 dhjetor u kthye në aeroportin e nisjes menjëherë pas ngritjes për shkak të turbulencave. Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe një numër i vogël pasagjerësh morën trajtim mjekësor.”
Për të përfunduar itinerarin, kompania dërgoi një avion zëvendësues nga Leeds Bradford, për në Birmingham.
Pasagjerët u rikthyen në aeroplan dhe u nisën në orën 21:21, duke mbërritur në Aeroportin Jugor të Tenerife në orën 01:25 të mëngjesit, një vonesë prej më shumë se gjashtë orësh.