Brikena, Greta, Mateo, Kristi, Mali dhe Miri kanë dalë mbrëmjen e sotme nga akuariumi dhe i janë bashkuar pjesës tjetër të banorëve të Big Brother VIP 5, shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Vëllai i Madh u dha atyre mundësinë të dilnin nga izolimi, por me një kusht të qartë: gjashtë banorët nuk duhet të komunikojnë me asnjë nga banorët e tjerë të shtëpisë, përveçse me njëri-tjetrin.
Menjëherë pas daljes nga akuariumi, banorët e tjerë kanë nisur provokimet, duke tentuar t’i shtyjnë drejt thyerjes së rregullit dhe humbjes së sfidës. Çdo fjalë e drejtuar jashtë grupit do të ketë pasoja për të gjithë.
Sipas rregullit të vendosur, nëse njëri prej tyre flet me pjesën tjetër të shtëpisë, të gjashtë banorët do të rikthehen në izolim për një kohë të pacaktuar, duke e bërë këtë sfidë një test të fortë vetëkontrolli dhe durimi.
Mbetet për t’u parë nëse gjashtëshja do t’i rezistojë presionit dhe provokimeve, apo nëse akuariumi do të rihapet sërish për ta.