Miliarderi amerikan Elon Musk ka ndezur rrjetet sociale pasi ka shpërndarë një meme virale që paraqet një pamje fiktive të iPhonit të “konfiskuar” të presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, pas arrestimit të tij nga autoritetet amerikane.
Memeja, e shoqëruar nga komenti i shkurtër “Banger” dhe një emoji qeshjeje, tregon një ekran imagjinar mesazhesh, ku Maduro supozohet se ka biseda me disa nga liderët më të fuqishëm të botës. Postimi ka grumbulluar dhjetëra miliona shikime dhe mijëra komente, duke u kthyer në një nga temat më të diskutuara të ditës.
Në pamjen satirike shfaqen profile që i atribuohen presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin, liderit kinez Xi Jinping, ish-kryeministrit kanadez Justin Trudeau, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-un.
Mesazhet janë të shkruara qëllimisht në mënyrë të çrregullt, për të ironizuar tensionet gjeopolitike dhe aleancat ndërkombëtare të Venezuelës.
Sipas interpretimit të mediave ndërkombëtare, mesazhi i Putinit aludon për marrëveshje të fshehta, ai i Xi Jinping përmban një shprehje të internetit që nënkupton pasoja të rënda, ndërsa Trump shfaqet me një mesazh të ftohtë dhe kërcënues: “come outside”, i cili në memen satirike paraqitet si i palexuar, në orën kur dyshohet se Maduro u arrestua.
Memeja vjen vetëm pak ditë pas operacionit amerikan të 3 janarit, kur forcat e SHBA-së arrestuan Maduron në rezidencën presidenciale në Karakas dhe e transferuan në Nju Jork për t’u përballur me akuzat për trafik droge. Presidenti venezuelian është deklaruar i pafajshëm, duke e cilësuar ndalimin si rrëmbim.
Postimi i Elon Musk është parë nga shumëkush si një koment ironik mbi ngjarjet e fundit dhe ndikimin e tyre global.