Prokuroria gjermane ka ngritur aktakuzë ndaj një personi që dyshohet si kreu i një rrjeti mashtrimi përmes të ashtuquajturave call-centera. Sipas medieve gjermane, dëmi arrin deri në 230 milionë euro vetëm në vendet gjermanishtfolëse.
Ndërkohë, i akuzuari Mikheil B. drejtoi për të paktën 5 vite një call-center në Shqipëri me 600 punonjës. Lajmi fillimisht u raportua në vitin 2020. Partneri i tij ishte Amant Josifi, një njeri i afërt i Olsi Ramës, vëllait të Edi Ramës.
Nga Konstantin Kraft, FRANKENPOST
Prokuroria e Përgjithshme e Bambergut, Zyra Qendrore për Kr imin Kibernetik të Bavarisë, ka ngritur aktakuzë kundër një personi të dyshuar si kreu i një rrjeti mashtrimi që vepronte ndërkombëtarisht, i njohur si “Milton Group”. Personi 50-vjeçar, shtetas izraelit dhe gjeorgjian, akuzohet se ka shkaktuar një dëm financiar prej rreth 230 milionë eurosh. Kjo bëhet e ditur në një njoftim të Zyrës Qendrore për Kr imin Kibernetik të mërkurën.
Vetëm në hapësirën gjermanofolëse, mbi 1000 persona thuhet se kanë rënë viktimë e “Milton Group”.
Meqenëse mes viktimave ka edhe persona nga Oberfranken, Inspektorati i Policisë Kr iminale në Oberfranken është i përfshirë intensivisht në hetimet që po zgjasin prej vitesh, siç deklaroi Thomas Goger, Kryeprokuror në Prokurorinë e Përgjithshme të Bambergut.
I arrestuar në Armeni
Sipas informacioneve tona, i akuzuari është Mikheil B. Ai u arrestua në gusht 2023 në Armeni dhe në maj 2024 u ekstradua në Gjermani. Që prej asaj kohe ndodhet në paraburgim në një burg bavarez. Se cili saktësisht, nuk bëhet publik për arsye sigurie.
Procesi ndaj 50-vjeçarit do të zhvillohet para Dhomës së Kr imeve Ekonomike Kibernetike të Gjykatës Rajonale të Bambergut. Seanca e parë publike është planifikuar për 15 janar, konfirmoi një zëdhënës i gjykatës. Aktualisht janë parashikuar dymbëdhjetë seanca.
Çfarë akuzash rëndojnë mbi të?
Personi, i cili nuk ka dënime të mëparshme në Gjermani, dyshohet se nga viti 2014 deri në një aksion të gjerë kontrollesh në nëntor 2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që operonte disa call-centera në vende të ndryshme (Shqipëri, Gjeorgji, Maqedoni e Veriut, Ukrainë), sipas Zyrës Qendrore për Krimin Kibernetik.
Në mashtrimet me cyber-trading, autorët u paraqisnin viktimave platforma digjitale të rreme për tregtimin e instrumenteve të ndryshme financiare. “Kapitali i investuar zakonisht humbiste plotësisht”.
Dëmi i fshehtë, shumëfish më i madh
Mikheil B. thuhet se nga fundi i vitit 2014 deri në maj 2019 ka drejtuar një call-center në Tiranë (Shqipëri) me rreth 600 punonjës. “Ky call-center ka shpërndarë të paktën 28 platforma dhe ka dëmtuar rreth 180 persona nga Gjermania, Austria dhe Zvicra, me një dëm total prej rreth tetë milionë eurosh”, njofton autoriteti gjyqësor.
Dëmi real mendohet të jetë shumë herë më i lartë. Dokumentet e kontabilitetit të sekuestruara tregojnë se vetëm për periudhën janar 2018 – maj 2019, dëmi në Gjermani arrin në rreth dhjetë milionë euro, ndërsa në nivel botëror rreth 50 milionë euro.
Gjithashtu, në vitet 2017 dhe 2018, specialistë IT me porosi të të akuzuarit kanë zhvilluar një program për cyber-trading mashtrues me emrin “PumaTS”.
Mikheil B. thuhet se fillimisht e ka përdorur këtë program në call-center-in e tij dhe më pas – deri në bastisjen e nëntorit 2022 – e ka shpërndarë nga Tbilisi i Gjeorgjisë.
“Në bazë të këtij programi, klientët kanë operuar rreth 400 platforma mashtruese.”
I akuzuari dyshohet se ka kontribuar kështu që 540 persona nga hapësira gjermanofolëse të humbnin rreth 44 milionë euro. Edhe këtu, dëmi i fshehtë mendohet të jetë dukshëm më i madh. Vetëm për periudhën shkurt 2019 – dhjetor 2020, bazuar në dokumentet e kontabilitetit, llogaritet një dëm total prej të paktën 130 milionë eurosh.
Hetime ndaj anëtarëve të tjerë
Në total, Zyra Qendrore për Krimin Kibernetik ia atribuon të akuzuarit një dëm të provuar nga kallëzime penale prej rreth 52 milionë eurosh dhe një dëm të fshehtë prej rreth 180 milionë eurosh. Vetë B. thuhet se ka përfituar rreth 29 milionë euro.
Ai duhet të përgjigjet për akuzat e mashtrimit të kryer në mënyrë të vazhdueshme dhe në bashkëpunim kriminal. Për secilin nga dy komplekset e veprave penale, parashikohen dënime me burg nga një deri në dhjetë vjet.
Ndërkohë, edhe anëtarë të tjerë të “Milton Group” janë në fokus të ndjekjes penale. Bëhet fjalë për një nga “rrjetet më të mëdha ndërkombëtare të mashtrimit”, ndaj të cilit Zyra Qendrore për Krimin Kibernetik të Bavarisë po heton në fushën e mashtrimeve të organizuara online me investime, sipas Goger.
Vetëm në dhjetor 2025, një drejtues nga një call-center i grupit në Maqedoninë e Veriut është dënuar përfundimisht me katër vjet burg.
Në hetimet kundër këtij rrjeti mashtrimi, përveç Inspektoratit të Policisë Kriminale për Detyra Qendrore të Oberfrankenit, janë të përfshira edhe autoritete nga Saksonia. Gjithashtu, është krijuar një grup hetimor ku marrin pjesë edhe autoritetet e ndjekjes penale nga Shqipëria dhe Gjeorgjia.