Situata në tregun e rrobave të përdorura në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë mbetet kritike, pasi zjarri i rënë pasditen e sotme ka dalë jashtë kontrollit, duke marrë përmasa të mëdha dhe duke vështirësuar ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të materialeve tekstile, të cilat janë lehtësisht të djegshme, si dhe afërsisë së kapanoneve me njëri-tjetrin. Përballë kësaj situate, është kërkuar ndihma e ushtrisë, si edhe përforcimi me mjete zjarrfikëse nga bashkitë e Elbasanit dhe Vorës.
Në terren ndodhen dhjetëra efektivë të zjarrfikëses dhe policisë, ndërsa po punohet për izolimin e vatrës së zjarrit dhe për të shmangur përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara përreth. Energjia elektrike në zonë është ndërprerë për arsye sigurie.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg zonës dhe të ndjekin udhëzimet e forcave të emergjencës.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet një njoftim zyrtar pasi situata të vihet nën kontroll.