“Dhimbje/ Vdes këngëtarja e njohur”, shkruan postimi në Facebook. Teksti shoqërohet me një kolazh fotosh të një prej këngëtareve më të njohura shqiptare.
Faqja thotë se ajo ka ndërruar jetë dhe të sugjeron të lexosh lajmin që ndodhet në një “link” të fshehur në komente.
Linku të dërgon në një faqe interneti me tekst të krijuar nga inteligjenca artificiale, i mbushur me pikëçuditëse e pikëpyetje dhe shpesh me fjalë pa kuptim.
“Ajo ka lënë një trashëgimi të gdhendur në industrinë e muzikës”, shkruhet aty.
Por këngëtarja nuk ka vdekur dhe qëllimi i linkut karrem është t’iu shfaqë një mori reklamash që shoqërojnë tekstin e gjoja lajmit dhe që ju premtojnë “kura mrekullibërëse”, për prostatën, nishanet, reumatizmën dhe problemet seksuale.
Me qëllim për të ndarë këto reklama me përmbajtje mashtruese, një faqe Facebook në gjuhën shqipe e quajtur “Jetë & Yje”, e administruar nga Vietnami dhe me tekste të prodhuara përmes inteligjencës artificiale, ka “vrarë” apo “shpallur të vdekur” më shumë se një duzinë personazhesh të “shoëbiz”-it apo politikës në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoninë e Veriut.
BIRN zbuloi se shpesh lajmet shoqërohen me video në YouTube që kanë mijëra shikime çdo ditë, të prodhuara po ashtu me inteligjencë artificiale dhe informacion të rremë.
Procesi që njihet si “Affiliate Marketing Scams” (mashtrimi i konsumatorit përmes ndërmjetësuesve) është një formë e krimit kibernetik, ku mashtruesit abuzojnë me modelin legjitim të marketingut për të fituar para në mënyrë të pandershme.
Duke tërhequr vizitorë përmes lajmeve e videove të rreme dhe duke i shtyrë ata të klikojnë në linqe reklamash për kura mjekësore të pacertifikuara, kompani të ndryshme shesin suplemente bimore që pretendojnë se kurojnë sëmundje të ndryshme.
Kur viktimat e reklamës regjistrojnë të dhënat online, ata i nënshtrohen presionit psikologjik nga marketuesit dhe, nëse blejnë produktin, paguajnë kur ai i dorëzohet në shtëpi.
Produktet shpesh janë preparate pa asnjë efekt.
Faqja “Jetë & Yje” është krijuar vetëm në mesin e nëntorit të vitit që shkoi, por ajo ka tashmë 13 mijë ndjekës dhe poston thuajse çdo orë “lajme tronditëse”. Shpesh postimet janë të përsëritura. Faqja, që luan në këtë skemë rolin e ndërmjetësuesit, ka njoftuar dy herë aksidente tragjike të ish-deputetit Lulzim Basha, duke përdorur emrat Luiz dhe Lulzim Basha dhe, në një rast mes këtyre aksidenteve, ka bërë lajm edhe arratinë e tij nga burgu.
Gjuha e përdorur është shqipe e shkruar keq. “TRAGJEDI QË MPREH GJAKUN??”, shkruhet me shkronja kapitale titulli pa kuptim.
Por edhe pse informacioni, si në këtë rast, është shpesh dukshëm i rremë, numri i personave që ndërveprojnë në faqe është i madh. Për shembull, në lajmin për Bashën që u publikua më 15 janar, në 20 minuta pas postimit u bënë 18 pëlqime dhe 12 komente.
Komentuesit shpesh janë të revoltuar pasi e kuptojnë se janë gënjyer, por kjo, nga ana tjetër, e ndihmon faqen t’u shfaqet edhe më shumë personave, çka është edhe qëllimi i botuesve. Numri i atyre që klikojnë është i pamatshëm, por ndërveprimi tregon se shumë persona e klikojnë linkun.
Këta, përpos materialit të rremë e grotesk, përballen pastaj me linqe reklamash që i dërgojnë në faqet e kompanisë që tregton kryesisht “kurat mrekullibërëse”, të cilat përgjithësisht janë pak a shumë ujë me ngjyrë apo vajra e kremra të thjeshtë të shitur shtrenjtë.
Për ta bërë skemën të besueshme, faqet që hapen janë kopjime të faqeve serioze dhe kanë format apo logo mediash të njohura. Në një rast të ndarë nga “Jetë & Yje” uebfaqja ka vjedhur logon e “Sky Neës”, një media e njohur britanike. URL-të e përdorura tregojnë për hostim të lirë dhe shpesh për përdorimin e formateve blog me hostim falas.
Në faqen e rreme, lexuesit përballen me informacion shtesë tronditës. Ky zakonisht përmban emra të rremë ose të vërtetë doktorësh dhe sugjeron blerjen e ilaçeve me emra të çuditshëm. Viktima e mundshme vihet para presionit përmes kohës që po mbaron për të fituar ofertën e të ngjashme. Produktet zakonisht janë me çmime të përballueshme, mes 3 mijë dhe 4 mijë lekë të reja. Nëse viktima lë numrin e telefonit, ai kontaktohet për adresën, produkti dorëzohet me postë dhe i mashtruari e mëson të vërtetën vetëm pasi ka paguar. Kjo e mbyll skemën. Përhapja e skemës në YouTube
BIRN gjeti se faqja në fjalë nuk është e vetme. Përmes postimeve të ngjashme në Facebook gjenden edhe 3 faqe të tjera që riprodhojnë të njëjtin material apo materiale të ngjashme dhe që të dërgojnë në faqe reklamash.
Faqet kanë emra që tingëllojnë seriozë, “Gjithçka Shqip”, “Mërgimi shqiptar” apo “Media Shqiptare”, dhe kanë dhjetëra mijëra ndjekës.
Ky grup faqesh ka disa vite që vepron dhe përbëhet kryesisht nga faqe të menaxhuara në Maqedoninë e Veriut e Shqipëri.
Për t’i bërë të besueshme, apo për t’i detyruar ndjekësit të klikojnë edhe më tej, faqet ofrojnë po ashtu linqe në video të prodhuara po me inteligjencë artificiale dhe të publikuara në YouTube.
Me një kërkim të thjeshtë, BIRN gjeti 8 profile në YouTube që së bashku kanë rreth 350 mijë ndjekës, ndërsa kanë video që kanë marrë mbi 175 milion shikime. Përmbajtja varion nga informacioni mbi kurat e çajërat, te materiale pornografike audio apo lajme të rreme shokuese.
Video e rreme për Bashën, e publikuar më 2 janar, ka marrë 75 mijë shikime dhe ka 167 komente nga ndjekës të revoltuar.
Ndryshe nga faqet në Facebook, kanalet në YouTube që publikojnë të njëjtat materiale me zëra robotikë dhe foto, janë të vendosura në Britaninë e Madhe ose në SHBA, prej nga shikimet mund të monetizohen.
Faqet duken të lidhura për shkak të ndarjes së përmbajtjes së njëjtë, por nuk është e qartë nëse menaxhohen nga të njëjtët persona.
Ironikisht, shumica e ndjekësve të painformuar besojnë se faqet në fjalë apo kanalet në YouTube janë faqe mediatike.
Por edhe pse bien në kategorinë e lajmeve të rreme, njerëzit pas këtyre skemave nuk janë gazetarë dhe as propagandues. Arsyeja pas titujve makabër për vdekje apo arrestime VIP-ash nuk është politika apo informimi, por komisioni financiar. Për çdo produkt që shitet me çmimin standard prej 3900 lekësh, si në rastin në fjalë, shitësi ndan një fitim të majmë me ndërmjetësin. I gjithë ky proces monitorohet automatikisht përmes linqeve gjurmuese dhe “cookies”, kode digjitale që i tregojnë shitësit se klienti erdhi specifikisht nga kanali i mashtruesit.
Për ta realizuar këtë, përdoren taktika teknike si maskimi i faqes reale nga robotët e sigurisë së Google/Facebook, dëshmi të rreme nga mjekë fiktivë dhe strategjia “hap dhe digj”, pra krijimi dhe fshirja në një kohë të shkurtër e faqeve./BIRN