Safet Rustemi (Bajri), i akuzuar nga SPAK si një nga organizatorët e vr asjes së Fatbardh Licit në Shkodër, ka vendosur të ankimojë masën e sigurisë “Arrest me burg” në Gjykatën Kushtetuese. Lajmi konfirmohet pas depozitimit të kërkesës, ku relatore e çështjes është caktuar gjyqtarja Sonila Bejtja.
Përmes përfaqësuesve të tij ligjorë, Bajri kërkon shfuqizimin e vendimeve të tre shkallëve të gjyqësorit (Gjykatës së Posaçme, Apelit të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë) të marra gjatë vitit 2025, duke i konsideruar ato si antikushtetuese sa i përket mbajtjes së tij në izolim.
Dosja e SPAK e rreshton Safet Bajrin krah Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit për ekzekutimin e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018. Sipas hetimeve, motivi i këtij krimi lidhet me një zinxhir gjakmarrjeje dhe lufte për kontroll territori në qytetin e Shkodrës.
Prokuroria e Posaçme pretendon se vrasja u krye në shenjë hakmarrjeje, pasi Behar Bajri dyshonte se nipi i viktimës, Ibrahim Lici, ishte autori i vrasjes së ish-policit Boran Bërçana dhe partneres së tij, Silvi Ndoci, ngjarje ku shpëtoi mrekullisht fëmija i tyre 3-vjeçar. Për këtë ngjarje, Safet Bajri akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Në kërkesën e tij, Rustemi (Bajri) pretendon se vendimet e mëparshme për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ai synon rrëzimin e vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë, të datës 24 qershor 2025, i cili la në fuqi izolimin e tij.
Ndërkohë që hetimet për këtë grup kriminal janë mbyllur, procesi në Gjykatën Kushtetuese pritet të jetë një nga betejat e fundit ligjore të Bajrit për të fituar lirinë ose një masë më të lehtë sigurie përpara nisjes së gjykimit në themel.