TIRANË- Policia ka zbardhur plagosjen e studentes 18-vjeçare mbrëmjen e kaluar në një hotel në Sauk. Mësohet se nga kqyrja e kamerave të hotelit, e reja është vetëplagosur me armë zjarri. Ndërkohë që 2 persona janë arrestuar për moskallëzim krimi dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim. Për moskallëzim krimi janë vënë në pranga Vladimir Gjuta 46 vjeç dhe Mirvete Rexhmati(Gjuta) 48 vjeçe. Ndërsa tre të tjerë me inicialet S. Gj., 49 vjeç, E. Gj., 24 vjeç dhe E. Gj., 22 vjeç janë shpallur në kërkim.
Këta persona kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë njoftuar policinë për plagosjen.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur pak pas mesnate, ku një 18-vjeçare u vetëplagos me armë zjarri. Arrestohen 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Më datë 14.02.2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri. E dëmtuara është transportuar në spital nga shtetasja M. R. (Gj) dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç.
Në vijim të veprimeve procedurale: -u arrestuan në flagrancë shtetasit V. Gj., 46 vjeç dhe M. R. (Gj), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; -u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi E. Gj., 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme