Tiranë, 19 shkurt 2026 – Kursi i këmbimit Euro-Lek ka vijuar rënien këtë javë dhe ka arritur një minimum të ri historik, duke u këmbyer sot me 96.35 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Agjentët e tregut theksojnë se tregu karakterizohet nga gjendje e bollshme e valutës, ndërsa kërkesa për Euro është relativisht e dobët. Sipas tyre, oferta e lartë e monedhës europiane mund të ketë ndikuar edhe nga eksportet e energjisë elektrike të kryera nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila ka realizuar shitje të konsiderueshme të energjisë për shkak të kushteve të favorshme hidrike. Vetëm gjatë muajit shkurt janë realizuar pesë procedura të shitjes së energjisë elektrike.
Rënia e Euros po theksohet edhe në tremujorin e parë të vitit, një tendencë e pazakontë krahasuar me vitet e mëparshme. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë po vazhdon të ndërhyjë në treg përmes blerjeve të valutës, me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të Lekut. Pa ndërhyrjet e Bankës Qendrore, Euro do të kishte rënë në nivele edhe më të ulëta.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka blerë në treg 825.6 milionë euro, një nivel rekord historik për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, blerjet janë rritur me 52.2%. Për vitin 2026, Banka planifikon të blejë përmes ankandeve 330–450 milionë euro, me qëllim rritjen e rezervës valutore.
Banka sqaron se qëllimi i ndërhyrjeve nuk është mbrojtja e një niveli të caktuar të kursit, por amortizimi i lëvizjeve të shpejta të valutës. Analizat tregojnë se rënia e kursit të Euros lidhet kryesisht me:
Rritjen e eksportit të shërbimeve dhe turizmit;
Rritjen e investimeve të huaja, sidomos në pasuri të paluajtshme;
Tepricën e valutës në tregun e brendshëm dhe rritjen e besimit në Lek.
Forcimi i Lekut ka pasur ndikim të dyfishtë: ka favorizuar importin e mallrave dhe shërbimeve dhe ka kontribuar në nivele më të ulëta të inflacionit të importuar, por nga ana tjetër ka goditur konkurrueshmërinë e sektorëve eksportues, veçanërisht fasonerisë, duke krijuar sfida për bizneset shqiptare që operojnë në tregjet ndërkombëtare.