Gëzim Allçi, 31 vjeç, i shpallur më herët në kërkim, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Ai dyshohet se ka ndihmuar autorin e vrasjes së Flori Paluçi të largohej nga vendi i krimit, ngjarje e ndodhur më 22 tetor 2025 në ambientet e jashtme të një lokali në Manëz. Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” më 13 nëntor 2025.
Sipas policisë, Allçi akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve” si dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë vetëdorëzimit, ai ka dorëzuar një send në dukje pistoletë, e cila rezultoi armë sportive me gogla, duke deklaruar se e kishte me vete ditën e ngjarjes.
Ngjarja e rëndë në Manëz përfundoi me dy viktima, Aranit Kurti dhe Flori Paluçi, pas një konflikti të çastit që nisi nga një debat banal për një kafe. Sipas hetimeve, përplasja verbale degjeneroi në përdorim armësh, ku fillimisht Paluçi qëlloi ndaj Kurtit, ndërsa më pas Daniel Pepa reagoi duke qëlluar për vdekje Paluçin. Pamjet filmike konfirmuan se të shtënat ndodhën pas shpine, duke vulosur një përplasje tragjike me dy të vrarë.