Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas bllokimit të segmentit rrugor Librazhd-Prrenjas, që ka paralizuar mijëra njerëz dhe gjithë zonën e juglindjes. Ai ka akuzuar qeverinë për korrupsion dhe paligjshmëri.
Sipas Berishës, situata ka lënë të bllokuar për orë të tëra qindra qytetarë në juglindje të vendit.
Ai hodhi poshtë pretendimet se dëmtimi i rrugës është shkaktuar nga kushtet atmosferike, duke e lidhur situatën me ndërhyrje të paligjshme në shtratin e lumit.
‘Rrugën nuk e shembi moti, por e shembi korrupsioni,’ u shpreh kryedemokrati. Berisha akuzoi drejtpërdrejt ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, për papërgjegjshmëri dhe lejim të ndërhyrjeve të paligjshme.
‘Ky bllokim është vepër totale e paligjshmërisë dhe korrupsionit, papërgjegjshmërisë së dy ministrave, të cilat kanë lejuar të ndërhyhet në lum pa modelin e studiuar të domosdoshëm,’ tha Berisha.
Reagimi i plotë i kreut të PD, Sali Berisha:
Sot tërë ditën i gjithë juglindja e vendit, e gjithë juglindja e vendit është e bllokuar. Qindra e qindra pasagjerë kanë kaluar këtë ditë në makinat e tyre të bllokuara në segmentin e rrugës Dragostunjë-Prrenjas. Ky bllokim është vepër totale e paligjshmërisë dhe korrupsionit, papërgjegjshmërisë së dy ministrave të Belinda Ballukut dhe Mirela Kumbaros, të cilat kanë lejuar të ndërhyhet në lum pa modelin e studiuar të domosdoshëm dhe ndërhyrja në lum jo vetëm që ka shkatërruar shtratin e lumit, por ka shkatërruar dhe mbështetjen për rrugën ekzistuese dhe shembjen e saj sot. Dënoj këtë akt si një akt shumë të rëndë kriminal, për të cilin përgjegjësia absolute kryesore ka Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro, natyrisht dhe kompania e cila ka kryer një akt kriminal pa leje, ka ndërhyrë në shtratin e lumit pa asnjë model dhe asnjë leje. Dënoj me forcë këtë veprim dhe heshtjen kriminale.