Zhvillime të reja dhe dëshmi tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me 64-vjeçarin me origjinë shqiptare, i cili dyshohet se shfrytëzoi mungesën disa minutëshe të nënës për të tentuar përdhunimin e një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara në zonën e Kipselit, Athinë.
Nëna e vajzës, e cila vuan nga paralizë cerebrale dhe probleme të rënda shëndetësore, rrëfeu momentet e ngjarjes, duke treguar se kishte dalë për pak minuta në farmaci kur vuri re diçka të dyshimtë dhe u kthye menjëherë në shtëpi.
“Zbrita shkallët, futa çelësin në derë dhe ndjeva pengesë. E shtyva derën dhe e pashë të shtrirë mbi vajzën time. Mora një tigan të madh dhe e godita në kokë”, tregoi ajo, duke përshkruar momentin kur e kapi brenda banesës.
Sipas saj, burri ishte i njohur për familjen prej rreth 18 vitesh, pasi ishte njohur përmes një kuzhine sociale të kishës dhe shpesh i ndihmonte me ushqime apo punë të vogla, çka i kishte krijuar akses në banesë. “Nuk e prisja kurrë. Siç thonë, ndonjëherë njeriu më i afërt bëhet armiku më i madh”, u shpreh ajo.
Mjekësia ligjore ka konstatuar se nuk ka prova për një përdhunim të përfunduar, por autoritetet vlerësojnë se bëhet fjalë për tentativë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ndërkohë, një dëshmi tjetër ka dalë në pah. Një fqinje pretendon se vajza e 64-vjeçarit i ishte ankuar në të kaluarën se babai i saj kishte tentuar ta përdhunonte. “Më tha se kishte tentuar ta detyronte me forcë. Nuk e besova, sepse e njihja prej mbi 30 vitesh”, deklaroi ajo.
Një tjetër dëshmitare tha se rreth gjashtë muaj më parë e kishte parë burrin duke shoqëruar një vajzë me karrocë drejt shtëpisë së tij, duke pretenduar se do ta ndihmonte pasi familja e saj kishte mbetur pa ujë.
64-vjeçari vijon të jetë i zhdukur dhe ka fikur telefonin celular. Policia ka nisur kërkime në të gjithë zonën e Atikës për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Akuza të reja ndaj 64-vjeçarit – Pretendohet se në të kaluarën kishte tentuar të abuzonte edhe me vajzën e tij
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me të shkuarën e 64-vjeçarit, i cili dyshohet për sulmin ndaj 25-vjeçares me aftësi të kufizuara në Kipseli.
Sipas informacioneve, burri është baba i katër fëmijëve dhe njëra prej vajzave të tij ka kontaktuar nënën e 25-vjeçares, duke i shprehur mbështetje dhe duke i thënë se po kërkon edhe ajo të atin.
Po ashtu, janë bërë publike pretendime se në të kaluarën ai kishte tentuar të abuzonte seksualisht edhe me vetë vajzën e tij, çka kishte sjellë një incident të ngjashëm në pallatin ku banonin.
Lidhur me këtë informacion, nëna e 25-vjeçares deklaroi: “Kur vajza e tij ishte e mitur, ai kishte tentuar ta abuzonte seksualisht. Ajo e kishte goditur dhe ishte larguar nga shtëpia. Tani ajo po ndjek rrugë ligjore dhe më ka thënë se do të më mbështesë edhe mua në procesin gjyqësor për këtë çështje. Afati i flagrancës po mbaron dhe ende nuk e kanë gjetur”.
64-vjeçari vijon të jetë i shpallur në kërkim, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /noa.al