SKRAPAR – 28 Shkurt 2026 – Ka përfunduar me gjetjen e trupit të pajetë operacioni 10-ditor i kërkim-shpëtimit për 42-vjeçarin Ilir Kurti. Efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut arritën të lokalizonin trupin e viktimës në rrjedhën e lumit Osum, pas një kërkimi intensiv që nisi më 20 shkurt.
Ngjarja e rëndë u shënua në vendin e quajtur “Ura e Blezënkës”, në afërsi të Kanioneve të Osumit. Autoritetet u vunë në lëvizje menjëherë pas denoncimit të familjarëve, ndërsa në vendngjarje u gjetën mjeti tip motor me të cilin udhëtonte 42-vjeçari, sendet e tij personale dhe telefoni celular.
Nga këqyrja e aparatit telefonik, rezultoi se Ilir Kurti i kishte dërguar një mesazh lamtumire vëllait të tij, ku e njoftonte për vendimin tragjik për t’i dhënë fund jetës duke u hedhur në lumë.
Dëshmitë e familjarëve kanë hedhur dritë mbi gjendjen e rënduar psikologjike të viktimës. Sipas tyre, 42-vjeçari vuante prej muajsh nga izolimi emocional dhe depresioni, pasojë e ndarjes nga djali i tij.
Mësohet se Kurti nuk kishte komunikuar me të birin prej 7 vitesh, që prej kohës kur ish-bashkëshortja e tij, me shtetësi rumune, ishte larguar nga Skrapari drejt vendlindjes së saj duke marrë me vete edhe fëmijën.
Trupi i pajetë është nxjerrë nga ujërat e Osumit dhe është dërguar drejt morgut për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi zonën e Skraparit.