Aktori Agron Llakaj si rrallë herë ka folur mbi jetën e tij artistike dhe sfidat që ka hasur ndër vite për ushtrimin e profesionit të tij, duke zbuluar kërcënimet e marra pasi imitoi për herë të parë Sali Berishën.
Llakaj zbuloi se si i shpëtoi burgut pas imitimit që i i bëri në 1997-ën, presidentit të asaj kohe, Sali Berishës.
“Në ‘96-‘97 me Koço Devolen unë imitoj presidentin e asokohe, Sali Berishën. Për herë të parë e imitova në Tepelenë. Pati një reagim të jashtëzakonshme, ashtu si pati një reaksion nga ana e PD në Tepelenë, ishte një shok i imi, kryetar i PD i Tepelenës, i cili më tha do të shkosh në burg. Më tha ke cënuar figurën madhore të presidentit Sali Berisha, më tha e nxorre keq figurën e atij. I thashë nuk po të kuptoj, unë kam qenë mik më të. Jo më tha nuk falet, nuk bëhet ky muhabet kështu” tha aktori në rrëfimin e bërë së fundmi në kanalin e tij në Youtube, që e ka titulluar “Jeta ime”.
Po ashtu, humoristi ceku dhe momentet e para që përjetoi pas kritikave që mori për imitimin e Berishës, ngjarje për të cilën mori paralajmërimin që të humbte gjurmët nga zona ose të përfundonte në burg.
“U ktheva në shtëpi në Memaliaj, ia thashë Kostandinës, aty më vjen një prokuror i Tepelenës, më thotë: Nëse ke mundësi të ikësh ik, sepse do të japë autorizimin presidenti që të të ndjekë penalisht e atëherë do të marrë fuqi momenti, në bazë të ankimit apo akuzës, Sa ta marrë vesh mbreti që s’je gomar do të kesh bërë burg kështu që ik” shtoi më tej aktori.
Aktori u ndal dhe te ftesa që mori prej Fatos Nanos i cili i kërkoi që në takimin që Berisha do të zhvillonte në Vlorë, aktori të imitojë presidentin. Mirëpo aktori e refuzoi ftesën pasi i trembej faktit se dikush do të agravohej për imitimin e tij.
“Në ‘98 për herë të parë, Sali Berisha do të shkonte në Vlorë e mua më erdhi ftesa nga Fatos Nano i cili më tha do na bësh një gjë shumë të madhe: Do na bësh një gjë shumë të madhe, do dalësh ti si Sali Berisha që të dh*ten gazit ata. Unë nuk e pranova diçka të tillë se kisha frikën mos më dilte ndonjë nga vlonjatët të më jepte plumbin ballit. Ai kishte mbështetësit e tij, sikur i ka dhe sot e kësaj dite” tha Agron Llakaj.
