Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbledhur Asamblenë e Partisë Socialiste në Elbasan.
“Ky takim është në vazhdën e nevojës për bashkëbisedim mbi tema me rëndësi për momentin ku po kalon Shqipëria. Nuk kemi qenë kurrë kaq afër realizimit të një ëndrre historike. Duhet të jemi të vetëdijshëm që hapat e fundit të 3-4 viteve që kemi përpara, janë edhe më të vështirat, sepse është faza kur duet të përputhim të gjithë organizmin tonë shtetëror me atë të BE, në aspektin jo vetëm të ligjeve por edhe standardeve.
Vetëdija na duhet që ta ndjejmë së bashku përgjegjësinë. PS familja jonë politike duhet të përballet pa e humbur kthjelltësinë dhe motivimin për të shkuar më shpejt përpara me një tërësi forcash e faktorësh që janë tërësisht kundër nesh. Forca e faktorë politikë, mediatikë, socialë në sensin e pranisë në rrjetet sociale që prodhojnë e shpërndajnë në mënyrë marramendës e gënjeshtra e gjysmë të vërteta, akuza, lajme që edhe kur nuk janë të pavërtetë vendosen në një proporcion të zhdrejtë me realitetin”, tha ai, ndërsa ka ripërsëritur faktin që akuzat e opozitës se media është e kapur nga qeveria nuk janë realitet.
