Një gjuetar thesari ndihmoi një familje të gjente plot 36,000 dollarë të fshehura nën disa dërrasa në papafingo. Por historia ka një kthesë të pabesueshme.
Keith Wille u punësua për të gjetur thesarin që gjyshi i familjes nga Massachusetts kishte fshehur para se ata të shisnin shtëpinë. Kuti me para ishin gjetur më parë edhe në prona të tjera të familjes nga të afërmit.
Në kërkimin e tyre të dëshpëruar, ata punësuan edhe një kontraktor ndërtimi për të hequr dyshemenë, pasi dyshonin se kutia ishte zhvendosur. Megjithatë, ajo u gjet përfundimisht në një cep të papafingos, nën dërrasa, e fshehur nga copa të tjera druri.
E kapur në video, zoti Wille shpjegoi se si arriti ta gjente vendndodhjen. Ai tha: “Shumica e sugjerimeve dhe të dhënave që kishim dolën të pasakta. Unë gjithmonë shikoj përtej informacionit që kam, duke kërkuar gjëra të vogla që duken jashtë vendit.”
Iu desh rreth një orë për të zbuluar thesarin e fshehur. Kur e gjeti nën dërrasa, paratë ishin të vendosura në pako brenda kutisë. Ai e hapi kutinë para familjes dhe tha: “Oh, shikoni këtë. Po shoh kartëmonedha 20 dhe 10 dollarëshe. Janë pako prej 5,000 dollarësh.”
Brenda kutisë u gjetën gjithashtu dy tufa të rralla prej 500 dollarësh në certifikata argjendi të vitit 1935, të cilat mund të kenë një vlerë më të lartë për koleksionistët.
Në faqen e tij, Wille tha se kutia ishte e mbushur plot me para. Ai gjithashtu theksoi se vlera e 36,000 dollarëve në vitin 1958 është e barabartë me mbi 336,000 dollarë në vitin 2021.
Wille dhe një anëtare e familjes, Karen, folën për mediat lokale për këtë zbulim të jashtëzakonshëm. “Ishte një tronditje. Të gjithë ishim të habitur,” tha ai. Ndërsa Karen shtoi: “Gjatë gjithë kohës mendon nëse historia është e vërtetë. Jam thjesht e lumtur që më në fund u gjet.”
