Lidhja e Adionit dhe Fabjolës po bëhet dita-ditës më e fortë pas përfundimit të rrugëtimit të tyre në “Ferma VIP 3”.

Çifti po vërteton se ndjenjat e tyre e kanë kaluar provën e ekranit dhe tani po hedhin hapa të rëndësishëm dhe konkretë drejt së ardhmes së bashku.

Vetëm pak ditë më parë, Adioni ndau një njoftim mjaft të rëndësishëm me ndjekësit e tij në Instagram.

Ai tregoi se kishte udhëtuar drejt Malësisë së Madhe për të vizituar familjen e Olës, ku kishte marrë aprovimin e tyre dhe i kishte kërkuar zyrtarisht dorën partneres.

Por pas atij momenti emocionues, nuk ka vonuar edhe lëvizja e radhës. Tani ishte radha e Olës për të bërë hapin e madh. Ajo ka udhëtuar drejt Kosovës, më saktësisht në vendlindjen e Adionit, në qytetin e Gjakovës.

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte pikërisht takimi me vjehrrinjtë.

Siç shihet edhe nga fotografia e publikuar në rrjetet sociale, çifti shfaqet mjaft i lumtur në tryezë përkrah prindërve të Adionit.

Të buzëqeshur dhe duke ngritur dollinë, kjo pamje konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera dhe mirëpritjen e ngrohtë familjare që Ola ka gjetur në shtëpinë e partnerit të saj.