Një studim i ri i kryer nga hulumtues japonezë ka zbuluar se konsumimi i tepërt i kripës mund të jetë shkaku kryesor i urinimit të shpeshtë gjatë natës, një fenomen që prek miliona njerëz në mbarë botën.

Sipas rezultateve të publikuara, reduktimi i sasisë së kripës në ushqim mund të ndihmojë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së gjumit dhe në uljen e nevojës për të shkuar në tualet gjatë natës.

Studiuesit analizuan zakonet ushqimore dhe shëndetësore të 321 pjesëmarrësve – meshkuj dhe femra – të cilët raportonin se zgjoheshin të paktën një herë gjatë natës për të urinuar. Pjesa më e madhe e tyre konsumonin sasi të larta kripe në ushqimet e përditshme, si p.sh. ushqime të përpunuara, mishra të kripur dhe produkte të konservuara. Pas një periudhe monitorimi, u vu re se ata që reduktuan kripën në dietë, panë një ulje të ndjeshme të urinimeve gjatë natës.

Sipas autorëve të studimit, teprica e kripës çon në rritjen e presionit të gjakut dhe në ngarkesë shtesë për veshkat, duke bërë që trupi të prodhojë më shumë urinë për të eliminuar natriumin e tepërt. Ky proces ndodh edhe gjatë natës, duke ndërprerë gjumin dhe shkaktuar lodhje ditore. “Rezultatet tona tregojnë se kontrolli i konsumit të kripës mund të jetë një mënyrë e thjeshtë, por efektive për të trajtuar urinimin e shpeshtë gjatë natës,” thanë studiuesit.

Ekspertët e shëndetit theksojnë se, përveç reduktimit të kripës, është e rëndësishme të shmangen pijet me kafeinë dhe alkooli në orët e vona të mbrëmjes, pasi ato gjithashtu veprojnë si diuretikë. Gjithashtu, këshillohet që njerëzit të ruajnë një ekuilibër të mirë të lëngjeve gjatë ditës, në mënyrë që të mos kenë nevojë të pijnë shumë ujë para gjumit.

Ky studim i kryer në Japoni ka hapur rrugën për kërkime të reja mbi lidhjen mes ushqyerjes dhe shëndetit të fshikëzës. Në fund, ekspertët paralajmërojnë se zakonet ushqimore të përditshme, si përdorimi i tepërt i kripës, mund të ndikojnë më shumë seç mendohet në cilësinë e gjumit dhe në mirëqenien e përgjithshme të organizmit.