Një ngjarje e pazakonshme ka përfshirë aviacionin civil zviceran, ku brenda më pak se 24 orëve, i njëjti aeroplan pasagjerësh është goditur dy herë nga rrufeja në fluturime të ndryshme. Bëhet fjalë për një avion të kompanisë Helvetic Airways, i cili po kryente fluturime në emër të kompanisë Swiss. Pas situatës së krijuar u shkaktua një tollovi e përkohshme në Aeroportin e Zürichut dhe ekuipazhet u detyruan të ndërpresin fluturimet.

Gjithçka nisi mbrëmjen e së enjtes, kur avioni i tipit Embraer E195AR, me regjistrim HB-JVW, u nis nga Zürichu me destinacion Krakovën e Polonisë, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”. Pak pas ngritjes, avioni u godit nga një rrufe e fuqishme. Pilotët, duke ndjekur rregullat strikte të sigurisë, vendosën menjëherë të ktheheshin në Zürich për t’i nënshtruar avionit një kontroll të imtësishëm teknik. Pasi inxhinierët dhanë dritën e gjelbër, të premten gjatë ditës i njëjti aeroplan fluturoi pa asnjë problem drejt Berlinit dhe Dyseldorfit, duke u kthyer sërish në bazë.

Megjithatë, makthi i vërtetë nisi mbrëmjen e së premtes. I njëjti avion, HB-JVW, u nis në orën 17:36 për një fluturim drejt Kopenhagës. Sipas të dhënave të platformës Flightradar24, vetëm nëntë minuta pas ngritjes, ekuipazhi njoftoi kullën e kontrollit se avioni ishte goditur sërish nga rrufeja. Pa u mbushur as 24 orë nga incidenti i parë, historia u përsërit. Avioni bëri disa xhiro mbi kantonin Thurgau për të humbur lartësi dhe u rikthye në Kloten në orën 18:25. Në bord ndodheshin 82 pasagjerë, të cilët fatmirësisht u risistemuan në fluturime të tjera brenda mbrëmjes.

Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm nëntë minuta pas incidentit të dytë, një tjetër Embraer i kompanisë Helvetic, me regjistrim HB-JVA, i cili po fluturonte drejt Berlinit me 91 pasagjerë, u godit gjithashtu nga rrufeja nga e njëjta stuhi. Edhe ky ekuipazh u detyrua të kthehej menjëherë në Zürich.

Ekspertët e aviacionit theksojnë se goditje të tilla nga rrufeja ndodhin herë pas here për shkak të stuhive të forta, por një shpeshtësi e tillë incidentesh brenda një dite është jashtëzakonisht e rrallë. Stuhia e së premtes mbrëma detyroi edhe disa fluturime të tjera nga Sofia, Amsterdami dhe Kopenhaga të ndërpritnin uljen dhe të qëndronin në pritje mbi Zürich derisa moti u stabilizua.

Për pasagjerët, goditjet e rrufesë në avion nuk përbëjnë rrezik për jetën, sepse rryma elektrike shpërndahet vetëm në pjesën e jashtme prej metali dhe shkarkohet në ajër pa prekur njerëzit brenda. Rreziku i vetëm mbetet dëmtimi i mundshëm i sistemeve elektronike, ndaj çdo avion i goditur duhet të qëndrojë në tokë për inspektime të detajuara përpara se të ngrihet sërish në qiell, thekson “Tages Anzeiger”, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE