Ish-presidenti Ilir Meta ka dhënë një intervistë për emisionin ‘Off the Record’ në A2CNN, ku u pyet nëse do të takonte kryeministrin Edi Rama nëse një ditë do të gjendej përball tij.

Meta deklaroi se është i gatshëm të përballet me këdo dhe se përpara shqiptarëve do të dal gjithmonë ballëhapur, pasi sipas tij ka mbrojtur interesin kombëtar. Ai shtoi se koha do të tregojë se kush ka llogari për të larë me këtë popull.

“Unë dal përballë cilitdo dhe as nuk e ndërroj rrugën dhe as nuk i ul sytë. Përpara shqiptarëve do të jem gjithmonë ballëhapur, sepse kam mbrojtur interesin kombëtar dhe demokracia për mua është interes kombëtar. Koha do tregojë se kush ka llogari për të larë me këtë popull”, tha Meta.

Ish-presidenti gjithashtu komentoi dhe rrugëtimin politik të Ramës: “Unë e njoh Ramën, edhe s’dua t’i vë faj. Rama ka qenë qengj i urtë shumë, kur ka qenë ministër, vartës, biles edhe kur ka qenë kryeministër në koalicion; vinte çdo ditë në orën 10:00 te Parlamenti. Derisa korruptoi Lulin dhe i mori të gjitha pushtetet, nxori fytyrën e vërtetë, që është në ADN-në e tij. Nuk mund t’i vëmë faj Ramës pse bleu ata që u shitën.”