Emërimi i ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, po shihet jo thjesht si një ndryshim diplomatik, por si një sinjal i qartë i një përqasjeje të re dhe më të ashpër amerikane ndaj Shqipërisë. Gjatë një interviste televizive, analisti dhe studiuesi Enver Bytyçi vlerësoi se misioni i ambasadorit të ri do të kulmojë me një përballje të drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama, i cili cilësohet si “kreu i organizatës kriminale” në vend.
Sipas kësaj analize, prioritetet e shpallura nga ambasadori Eric G. Wendt gjatë seancës dëgjimore në Senatin Amerikan – lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor me SPAK-un në qendër – nuk janë thjesht retorikë diplomatike. Ato përfaqësojnë vazhdimësinë e një politike amerikane që e sheh Shqipërinë si një “problem serioz” për shkak të lidhjeve të thella mes krimit dhe strukturave më të larta qeveritare.
Argumentohet se problematika kryesore qëndron në faktin se krimi i organizuar dhe kartelet e drogës në Shqipëri nuk operojnë në vakum, por kanë lidhje të drejtpërdrejta me shtetin dhe qeverinë.
Në këtë kontekst, analisti pohon se suksesi i misionit të ambasadorit të SHBA është i kushtëzuar nga vullneti për të “eliminuar kreun e organizatës”. Sipas tij, është e pamundur të çmontosh një rrjet kriminal duke toleruar apo mbrojtur udhëheqësin e tij. Për këtë arsye, përballja e ambasadorit me kryeministrin Rama shihet si e pashmangshme.
Kjo përqasje, sipas Bytyçit, parashikon se, pavarësisht gjuhës diplomatike për bashkëpunim me qeverinë, qëllimi final do të jetë çmontimi i sistemit ku krimi i organizuar dhe korrupsioni janë të integruar në administratën publike dhe strukturat qeveritare.
Enver Bytyçi: Është në fakt një lajm i mirë që një ambasador i ri, mbas shumë kohësh i vjen Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mesazhi i Eric G. Wendt ishte i qartë në raportimin e tij në komisionin e Senatit Amerikan. Ai përcaktoi disa prioritete gjatë fjalës së tij në Senat dhe kryesore ndër të gjitha këto prioritete është lufta kundër krimit të organizuar, vendor dhe ndërkombëtar.
Është gjithashtu lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor në Shqipëri, duke vënë theksin tek forcimi i pavarësisë së rolit të gjyqësorit në tërësi dhe sidomos të SPAK-ut. Ky prioritet ka qenë dhe mbetet si prioritet i marrëdhënieve do të thosha dhe jo vetëm i punës së një ambasadori apo stafit të ambasadës amerikane në Shqipëri. Është një prioritet i përcaktuar qartë prej disa vitesh, prej një dekade, dhe për pasojë vazhdon që politika amerikane të jetë në kontinuitet me ato vendime që ka marrë që në fillim për forcimin e shtetit ligjor dhe për ndëshkimin e krimit në Republikën e Shqipërisë.
Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe karteleve të drogës dhe gjithçka tjetër që ambasadori Eric G. Wendt, gjenerali amerikan, përmendi ditën e djeshme në raportimin e tij, është një prioritet i përcaktuar për shkak, siç thuhet dhe siç është përmendur vazhdimisht, të sigurisë në të dy vendet tona, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Shqipëri. Kjo do të thotë se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria është një problem i madh sa i takon efektivitetit të kësaj lufte.
Madje, problematika qëndron në faktin se, siç është provuar në të shkuarën dhe siç kanë shkruar mediat amerikane, kartelet e drogës, krimi i organizuar dhe gjithçka tjetër kanë lidhje të drejtpërdrejta me shtetin dhe strukturat qeveritare të Shqipërisë. Duke qenë se është ky shqetësim serioz, theksimi që bën ambasadori Eric G. Wendt, do të thotë që ai do të punojë me qeverinë, por njëkohësisht do të punojë me qeverinë për të çmontuar pikërisht krimin e organizuar, bashkëpunimin e krimit të organizuar, korrupsionin në strukturat qeveritare dhe në administratën publike.
Në këtë kuptim them që ardhja e tij do ta përballë me një realitet të caktuar, të cilin tashmë ai duket se e njeh mirë. Duket se është i stërvitur për ta realizuar një betejë të tillë dhe për pasojë, përballja e tij do të jetë drejtpërdrejt edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Gazetari: Pra betejë dhe përballje thoni ju?
Enver Bytyçi: Unë them që ai do të ketë një përballje, pavarësisht gjuhës së moderuar që është përdorur gjatë raportimit për bashkëpunimin mes strukturave të shtetit dhe të qeverisë. Kjo është e natyrshme. Megjithatë përballja do të jetë me kryeministrin e Shqipërisë, sepse nuk mund të çmontohet, të eliminohet një organizatë terroriste ose një organizatë mafioze, ose një organizatë kriminale kur kreu i kësaj organizate nuk eliminohet. Është e pamundur të eliminosh anëtarët e organizatës dhe të tolerosh dhe të mbash, të marrësh nën mbrojtje, kreun e organizatës.
Tashmë është e njohur fakti se kreu i organizatës kriminale në Shqipëri, i cili bashkëpunon me kartelet e drogës deri te Sinaloa dhe kartelet e tjera, i cili bashkëpunon me bandat kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë, i cili favorizon këta kriminelë deri edhe duke i bërë investitorë strategjikë të investimeve dhe shpërlarjes së parave në këto investime në vendin tonë, është e pamundur të luftohet korrupsioni, të luftohet krimi i organizuar, të luftohen trafikantët e drogës dhe kështu me radhë.
Nëse ambasadori i ri dëshiron të ketë sukses, e ka të domosdoshme të eliminojë kreun e organizatës kriminale në Shqipëri, i cili është kryeministri i Shqipërisë.
Nuk kam asnjë lloj dyshimi dhe asnjë lloj, një lloj hezitimi të them se askush nuk do ta përfundojë luftën dhe betejën me krimin e organizuar, kartelet e drogës dhe korrupsionin në Shqipëri, nëse nuk eliminohet pikërisht kreu i kësaj organizate, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Në këtë aspekt, ai i dha rol të rëndësishëm sërishmi SPAK-ut dhe strukturave të tjera të luftës anti-korrupsion dhe kundër krimit në Shqipëri…
