Një moment i pazakontë ka shënuar Konferencën Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, ku Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, ndërpreu për pak çaste fjalën e saj dhe iu drejtua kryeministrit Edi Rama me një batutë të papritur: “Nuk më do ti mua?”, përpara se ta puthte në faqe.
Ngjarja ka ndodhur gjatë pjesës protokollare të konferencës, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve dhe mediave ndërkombëtare.
Më pas, Kos vijoi mesazhin e saj duke theksuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është i fokusuar te qytetarët dhe se mbështetja e lartë publike në Shqipëri është një faktor kyç për avancimin e integrimit.
“Ky sukses është i mundur për shkak të mbështetjes së fortë të qytetarëve shqiptarë. Procesi i zgjerimit në të vërtetë është për njerëzit. Kjo mbështetje kaq e lartë në vendin tuaj është udhëheqja më e mirë që mund të ketë një vend. Shqipëria po shfrytëzon këtë moment historik ku zgjerimi është përparësi e BE-së”, u shpreh Kos.
Ajo theksoi se dritarja e mundësive për integrimin evropian nuk do të jetë e hapur pafundësisht, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.
“Mbështesim vizionin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në 2027. Më pas do t’i ngjitemi Korabit bashkë me Ramën”, shtoi ajo me tone simbolike.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama iu përgjigj me humor deklaratës, duke thënë: “Mund t’i ngjitemi Kullës Eiffel kur Franca të thotë ‘mirë se erdhët në klub’, është më e vështirë se Korabi”, duke iu referuar simbolikisht procesit të anëtarësimit në BE.
