Neki Dredha, ish-kryetar i bashkisë së Vlorës në vitet 1998-2000, ka ndërruar jetë ditën e sotme.

Lajmi u bë i ditur nga djali i tij, Ermal Dredha, ish-kryetar i bashkisë së Vlorës, në një postim në rrjetet sociale.

Neki Dredha ishte mjek me profesion dhe një nga figurat e njohura të shëndetësisë në qytetin e Vlorës. Përveç angazhimit në mjekësi, ai mbajti edhe detyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës.

Gjatë karrierës së tij, Dredha u angazhua edhe në fushën e letërsisë dhe publicistikës, duke botuar disa libra me karakter poetik dhe memorialistik. Një prej veprave të tij më të njohura është poema narrative “Labëria Magjike”.

Dredha ka qenë gjithashtu autor i shkrimeve kushtuar historisë së mjekësisë dhe figurave të shquara të shëndetësisë shqiptare.