Komisioni Europian ka paralajmëruar qeverinë shqiptare për zhvillimet dhe projektet intensive në Peizazhin e Mbrojtur natyror Pishë Poro – Nartë (Zvërnec).
Përmes një deklarate zyrtare, Brukseli e ka bërë të qartë se menaxhimi i kësaj zone ekologjike konsiderohet tashmë si një “test i aftësisë” së vendit për të administruar zonat e mbrojtura dhe se çdo hap që cenon këtë ekosistem rrezikon të bllokojë drejtpërdrejt avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në qëndrimin e tij dhënë për “shteg.org”, Komisioni Europian thekson se po ndjek nga afër situatën dhe kujton se që në Raportin Vjetor të vitit 2025, zgjatja e përsëritur e ligjit për investimet strategjike ka ngritur shqetësime serioze për ndikimet mjedisore në zonat e mbrojtura.
“Komisioni Europian po ndjek nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur të Pishë Poros – Nartës. Siç është theksuar në raportin tonë vjetor për vitin 2025, zgjatja e përsëritur e ligjit për investimet strategjike vazhdon të ngrejë shqetësime lidhur me ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura. Respektimi i të drejtave dhe vlerave themelore, përfshirë lirinë e tubimit paqësor, lirinë e medias dhe lirinë akademike, përbën element kyç të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian” – thuhet në përgjigjen zyrtare të zyrës së shtypit.
Ndër kriteret e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është detyrimi për të harmonizuar plotësisht legjislacionin e saj me direktivat europiane për habitatet dhe shpendët, të kryejë vlerësime të plota të ndikimit në mjedis dhe të demonstrojë aftësinë për të menaxhuar zonat e ardhshme të rrjetit Natura 2000. Komisioni thekson se standardet europiane duhet të merren plotësisht në konsideratë në projektin e planifikuar në Zvërnec.
“Në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, konkretisht të kritereve përmbyllëse për negociimin e Kapitullit 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, Shqipëria pritet të përafrojë plotësisht legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Europian në këtë fushë. Për rrjedhojë, standardet e BE-së duhet të merren plotësisht në konsideratë në këtë projekt.”
Brukseli i ka kujtuar Tiranës zyrtare se rruga e integrimit kalon detyrimisht nga respektimi i vlerave themelore, përfshirë lirinë e tubimit paqësor, lirinë e medias dhe atë akademike, por mbi të gjitha nga plotësimi i kritereve të rrepta të Kapitullit 27 (“Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”).
Si pjesë e kritereve përmbyllëse për negociimin për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, Shqipëria pritet të përafrojë plotësisht legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Europian në këtë fushë, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet, si dhe të shfuqizojë dispozitat e papajtueshme të miratuara përmes ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, si dhe të përfundojë zbatimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike.
Gjithashtu, për mbylljen e Kapitullit 27, Shqipëria duhet të dëshmojë kapacitetin e saj për të menaxhuar zonat e ardhshme të rrjetit Natura 2000, përfshirë zbatimin e masave të ruajtjes që parandalojnë degradimin e habitateve dhe specieve.
Vlerësime të plota të Ndikimit në Mjedis, pa i ndarë projektet në segmente të veçanta, duhet të garantojë përputhshmërinë me acquis-in mjedisor të Bashkimit Europian.
Shqipëria e ka propozuar zonën e Pishë Poros – Nartës për statusin Emerald, me synimin që ajo të bëhet pjesë e rrjetit Natura 2000 pas anëtarësimit në Bashkimin Europian. Menaxhimi i kësaj zone konsiderohet një test i aftësisë së vendit për të ruajtur dhe administruar zona të tilla të mbrojtura.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur dhjetëra banorë vendas dhe aktivistë kundërshtojnë zhvillimin e projektit në plazhin e Pishë Poros, pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë.
Protestuesit mbanin pankarta në mbrojtje të natyrës dhe kundër asaj që ata e quajnë kapje të territorit nga interesa ekonomike dhe politike. “Vlora e Shqipërisë! Jo e mafies, jo e oligarkisë”, shkruhej në një nga parullat e tyre.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Pishë Poro është “Peizazh i Mbrojtur”, por me një status që lejon zhvillimin ekonomik dhe turistik. Sipas tij projekti po zhvillohet në pronë private, por dokumentet tregojnë se konflikti mbi tokën në zonën e Vjosë-Nartës ka më shumë se një dekadë që zhvillohet në dyert e gjykatave.
Banorët pretendojnë trashëgimi të pronës dhe njohje ligjore përmes ligjit 7501, ndërsa palë të tjera kanë siguruar vendime dhe dokumente që i njohin si pronarë të sipërfaqeve të konsiderueshme në zonë.
Në këtë terren të paqartë juridik është zhvilluar edhe projekti aktual turistik, i lidhur me kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development”, e regjistruar përmes një strukture komplekse offshore me bazë në Holandë.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), projekti parashikon ndërtime të mëdha në zonë, ndërsa kontratat e sipërmarrjes përfshijnë individë dhe kompani që pretendojnë pronësi mbi sipërfaqe të ndryshme toke në Pishë Poros dhe Nartë.
Hetimet ngrenë pikëpyetje mbi zinxhirin e pronësisë dhe lidhjet mes subjekteve të ndryshme të përfshira në projekt.
Qeveria ka deklaruar se institucionet nuk mund të ndërhyjnë në konflikte pronësie që janë objekt gjykimi.
“Fakti që ka apo nuk ka pretendues dhe procese lidhur me një pronë apo një tjetër nuk ka asnjë lidhje me procesin ligjor të shqyrtimit të lejeve të ndërtimit,” është shprehur Kryeministri.
Dokumentet zyrtare tregojnë se lejet e ndërtimit janë dhënë mbi parcela që lidhen me emra kontraversë, si biznesmeni Artur Shehu, i lakuar në mediat për lidhje të vjetra me mafian e Sacra Corona Unita dhe ish-avokati i tij Pëllumb Petritaj, i arrestuar për falsifikim masiv të dokumenteve të pronësisë në bregdet.
Ndonëse publikisht projekti masiv turistik, që parashikon rreth 10 mijë njësi akomoduese, është shitur si një investim madhor i Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, dhe miliarderëve të Katarit, strukturat korporative tregojnë një realitet tjetër. Kompania zhvilluese, “Zvërnec South Adriatic Development”, kontrollohet nga një zinxhir opak shoqërish guaskë në Holandë që të çojnë te një kapital hibrid ruso-bullgar. /Shteg.org, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
