Athinë – Mediat greke kanë publikuar pamjet e momentit kur një shqiptar 48-vjeçar, Edmond Tafa, u arratis nga burgu i Korydallos.
Sipas raporteve, arratisja ndodhi gjatë shërbimit të ushqimit, pasi Tafa punonte në Depon Qendrore të Materialeve të Burgut dhe merrte pjesë në transportimin e bukës. Në video të publikuara nga SKAI, ai shihet duke vrapuar për t’u larguar nga zona e paraburgimit, ndërsa dy oficerë burgu e ndjekin disa metra pas tij. Arratisja ndodhi mëngjesin e së hënës rreth orës 08:30, gjatë procesit të ushqyerjes së të burgosurve.
Policia greke njoftoi se Tafa ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe për shkelje të ligjeve mbi armët. Ai ishte parashikuar të lirohej në korrik 2031.
Në të kaluarën, Tafa konsiderohej i përshtatshëm për leje të rregullt nga këshilli kompetent dhe kishte marrë tre leje brenda gjashtë muajve të fundit, duke u rikthyer gjithmonë në kohë në burg për të vazhduar vuajtjen e dënimit.
48-vjeçari ishte transferuar në Korydallos nga burgu i Korfuzit, ku mbahej më parë. Dy oficerë burgu u arrestuan në lidhje me rastin dhe akuzohen për lehtësimin e arratisjes së të burgosurit. Hetimet për kapjen e tij vazhdojnë.
