Mbrëmja e maturës në Cazin, Bosnjë dhe Hercegovinë, është shndërruar në një skenë të pakëndshme pasi ka ndodhur një përleshje fizike mes nënave të maturantëve.

Incidenti, sipas mediave lokale, ka ndodhur gjatë mbrëmjes së maturës në Shkollën e Mesme të Dytë “JU” në Cazin, të shtunën më 16 maj. Pamjet e ngjarjes janë përhapur shpejt në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.

Sipas dëshmive të të pranishmëve, konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve dhe përpjekjes së prindërve për të siguruar një vend më të mirë pranë tapetit të kuq, për të fotografuar fëmijët e tyre gjatë ceremonisë.

Debati ka eskaluar shpejt në përleshje fizike, ndërsa prindër dhe të ftuar të tjerë kanë tentuar të ndajnë palët e përfshira në incident.

Në fund ka ndërhyrë edhe policia, e cila ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Fotot dhe videot e incidentit janë shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, ku shumë përdorues e kanë dënuar sjelljen e të rriturve, duke theksuar se momenti festiv i maturantëve është errësuar nga sjellja e papërshtatshme e prindërve.