Burrat që dolën nga një pusetë kanalizimesh në Bruklin besohet se ishin “gjuetarë thesaresh”
NJU JORK – Disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen grupe burrash duke dalë në mënyrë misterioze nga pusetat e kanalizimeve në Nju Jork, kanë vënë në lëvizje autoritetet policore. Ngjarjet e pazakonta janë regjistruar javën e kaluar në lagje të ndryshme të Brooklyn-it.
Personat e përfshirë nuk mbanin uniforma të ekipeve të punimeve publike, çka ka ngritur dyshime për një hyrje të paligjshme në sistemin nëntokësor të qytetit. Megjithatë, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut (NYPD) ka qetësuar qytetarët duke theksuar se “nuk ka asnjë kërcënim për publikun”.
Dy incidente në Brooklyn: Çfarë tregojnë videot?
Hetuesit po analizojnë dy video të ndryshme të cilat ende nuk janë lidhur zyrtarisht me njëra-tjetrën, por që tregojnë një dinamikë të ngjashme:
Rasti i parë (Rrugët McDonald dhe Bedford): Rreth orës 02:00 të mëngjesit të së premtes, një person ka hapur pusetën nga jashtë duke ndihmuar shtatë burra të tjerë të dalin. Ata mbanin veshje mbrojtëse ose kominoshe, të cilat i ndërruan menjëherë sapo dolën në rrugë.
Rasti i dytë (Rrugët Heyward dhe Bedford): Një burrë ka hapur kapakun e pusetës nga brenda-jashtë, në një rrugë me qarkullim automjetesh. Pas tij kanë dalë edhe gjashtë persona të tjerë, të pajisur me llamba në kokë dhe të paktën tre prej tyre mbanin lopata në duar.
Teoria e policisë dhe kontrollet nëntokësore
Sipas një zyrtari të lartë të zbatimit të ligjit, teoria kryesore e hetuesve është se ky grup personash po kontrollonte nëntokën në kërkim të sendeve me vlerë apo bizhuterive që mund të kenë përfunduar aksidentalisht në rrjetin e kanalizimeve.
“Burrat që u filmuan duke u ngjitur nga një pusetë kanalizimesh të premten në mëngjes në Brooklyn besohet të jenë “gjuetarë thesaresh” dhe eksplorues urbanë që kërkojnë sende me vlerë në sistemin e kanalizimeve, thanë burimet e policisë”, raporton CBS.
Për të garantuar sigurinë, njësia e specializuar e Shërbimeve Emergjente (NYPD) zbriti në nëntokë për të verifikuar nëse ishte lënë pas ndonjë objekt i rrezikshëm, por nuk u gjet asgjë e dyshimtë. Gjithashtu, Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit konfirmoi se nuk ka dëmtime të pajisjeve të rrjetit.
Një incident i ngjashëm ndodhi në Williamsburg në Heyward Street dhe Bedford Avenue herët të premten në mëngjes. Në atë rast, një grup prej tetë burrash u panë duke hyrë në një puset në orën 1 të mëngjesit dhe më pas duke u ngjitur prej tij pak më shumë se dy orë e gjysmë më vonë.
Këto incidente ngjajnë me njërin që ndodhi në prill të vitit 2025, i cili çoi në arrestimin e tre personave dhe akuzimin për vjedhje me thyerje dhe keqbërje kriminale.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të arrestuar, ndërsa policia po punon për identifikimin e personave të shfaqur në video dhe zbardhjen e plotë të qëllimit të tyre.
