Në pamje të parë, harta globale e energjisë duket e mbingarkuar: Venezuela mban rezervat më të mëdha të provuara në planet, SHBA-ja ka përmbytur tregun me naftën e saj nga shtresat argjilore (shale oil), ndërsa vende si Nigeria, Algjeria dhe Guajana po zbulojnë përditë burime të reja gjigante. E megjithatë, sytë e të gjithë botës mbeten të fiksuar pas Gjirit Arabik.
Pse nafta e Lindjes së Mesme (me në krye Arabinë Saudite) mbetet më e lakmuara në treg, kur bota është plot me burime të tjera? Përgjigjja fshihet pas një kombinimi të kimisë, kostove absurde dhe gjeografisë.

1. Kimia e përsosur: “E lehtë” dhe “e ëmbël”

Jo e gjithë nafta që del nga toka është e njëjtë. Nafta e Venezuelës, për shembull, është aq e rëndë dhe e trashë sa që ngjan me ziftin ose asfaltin e rrugëve; ajo nuk rrjedh vetë nëpër tuba pa u përzier me lëndë të tjera dhe kërkon rafineri miliarda dollarëshe për t’u përpunuar.
Në krahasim me të, nafta e Gjirit Arabik është e llojit “light sweet” (e lehtë dhe e ëmbël).

* Çfarë do të thotë kjo? Ajo është e hollë, rrjedh si ujë dhe ka një përmbajtje shumë të ulët squfuri (prandaj quhet “e ëmbël”).

* Pse ka rëndësi? Rafineritë standarde në mbarë botën mund ta kthejnë këtë naftë në benzinë, naftë makinash dhe karburant avioni me shumë pak procese, duke kursyer kohë dhe miliarda dollarë kosto teknologjike.

2. Kostot e nxjerrjes: Më e lira në planet

Nëse në SHBA duhet të përdoret teknologjia e kushtueshme e thyerjes hidraulike (fracking) ku shpohet me kilometra horizontalisht dhe injektohet ujë me presion të lartë për të thyer shkëmbinjtë. Në Lindjen e Mesme situata është krejt ndryshe.

Nafta atje gjendet në rezervuarë gjigantë dhe relativisht të cekët nën tokë. Pasi shpohet pusi, presioni natyror e shtyn lëngun vetë drejt sipërfaqes. Kjo bën që Arabia Saudite të ketë koston më të ulët të nxjerrjes në botë, më pak se 10 dollarë për fuçi. Kur çmimet e naftës në bursa bien, vendet e tjera falimentojnë, ndërsa Lindja e Mesme vazhdon të gjenerojë fitime.

3. Gjeografia dhe vëllimet e pabarabarta

Vende si Algjeria, Norvegjia apo Nigeria prodhojnë gjithashtu naftë të një cilësie të lartë, por ato thjesht nuk kanë vëllimet e mjaftueshme për të furnizuar ekonominë globale. Arabia Saudite mund të prodhojë mbi 10 milionë fuçi në ditë dhe ka kapacitetin ta rrisë ose ulë këtë shifër brenda natës, duke diktuar çmimet në mbarë botën.

Për më tepër, Gjiri Arabik ndodhet gjeografikisht ngjitur me Azinë (Kinën, Indinë, Korenë e Jugut) tregu me rritjen më të shpejtë të konsumit në botë gjë që i ul drastikisht kostot e transportit me anije krahasuar me naftën që vjen nga Atlantiku.

Po Shqipëria? Pasuri e madhe, por në formë zifti

Në këtë ekuacion global, Shqipëria pozicionohet në skajin krejt të kundërt të Lindjes së Mesme. Ndonëse vendi ynë ka fatin të ketë Patos-Marinzën, një nga fushat naftëmbajtëse më të mëdha tokësore në Europën kontinentale, nafta jonë është jashtëzakonisht e rëndë, e trashë dhe “e thartë” (me përmbajtje shumë të lartë squfuri, kripe dhe rëre). Ajo i ngjan më shumë një katrani të zi sesa karburantit që jemi mësuar të shohim.

Për shkak se rafineritë tona vendase janë të vjetra dhe nuk e kanë teknologjinë komplekse “cracking” për të zbërthyer këto molekula të rënda, Shqipëria e eksporton pothuajse të gjithë naftën e saj bruto jashtë vendit me çmim shumë të lirë për t’u kthyer në bitum ose asfalt rrugësh. Më pas, ne detyrohemi të importojmë 100% të benzinës dhe naftës që përdorim për makinat tona nga Italia apo Greqia, të cilat e blejnë lëndën e parë të pastër pikërisht nga vendet e Gjirit Arabik.