Gjyqi absurd i ujit të çezmës: Pse një turiste humbi betejën ligjore me hotelin me 5 yje
Një turiste e irrituar sapo ka humbur një padi të madhe gjyqësore kundër një hoteli luksoz në vitin 2020, i cili refuzoi t’i shërbente një gotë të thjeshtë me ujë çezme gjatë qëndrimit një javë për festat e fundvitit në dhjetor 2019.
Bëhet fjalë për Hotel Sassongher, një resort skish me pesë yje në Dolomitet italiane, i cili u kthye në qendrën e një beteje të egër ligjore që zgjati disa vite. Një kliente paditi strukturën duke kërkuar 2,700 euro dëmshpërblim. Ajo pretendonte se i ishin shkelur të drejtat e konsumatorit dhe kërkonte dëmshpërblim për “stres emocional”, pasi stafi ia kishte refuzuar vazhdimisht kërkesën për ujë çezme gjatë ngrënies, duke i vendosur në tryezë një shishe me ujë mineral që kushtonte 7 euro.
Turistja argumentoi me ngulm se uji është një e drejtë universale e njeriut dhe një nevojë bazike, duke e krahasuar atë me praninë e çarçafëve në krevat apo të sapunit në tualetin e hotelit.
Megjithatë, Gykata e Lartë e Italisë e rrëzoi përfundimisht padinë në prill 2026. Gjykata vendosi se, ndryshe nga disa vende të tjera europiane, lokalet dhe hotelet italiane nuk kanë asnjë detyrim ligjor t’u ofrojnë klientëve ujë çezme falas, duke e lënë këtë zgjedhje tërësisht në dorë të dëshirës së vetë bizneseve.
