Kanë mbërritur pamjet e para përmes një videoje nga vendi i ngjarjes në malin Boden të Lozhanit në Bashkinë Maliq, ku mëngjesin e kësaj të enjteje u shënua tr agjedia e rëndë që tronditi Policinë e Shtetit. Në këtë zonë të thellë malore, gjatë një operacioni për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë, humbi j*etën në krye të detyrës inspektori i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, si dhe mbeti i p*lagosur shoku e kolegu i tij i skuadrës, inspektor Edison Adri, 36 vjeç.

Videoja nga terreni tregon vështirësinë e jashtëzakonshme të zonës ku operuan forcat e rendit dhe perimetrin e rrethuar ku grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij sulmi kriminal.

Si dhe ku ndodhi ngjarja?

Ngjarja e përgjakshme u regjistrua rreth orës 07:30 të mëngjesit të sotëm në një terren ekstremisht të thyer malor. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Maliqit dhe atë të Korçës, kishin siguruar informacione operative për vendndodhjen e shtetasit Violand Braçellari, 43 vjeç, i cili fshihej në një stan të madh në malin Boden, mbi fshatin Bodë të zonës së Lozhanit.

Sapo efektivët e forcave “Shqiponja” kanë filluar afrimin dhe rrethimin e perimetrit të stanit, i cili mbrohej edhe nga disa qen, autori ka konstatuar lëvizjet e dyshimta të uniformave të zeza. Duke shfrytëzuar trajnimin e tij si ish-ushtarak dhe pozicionin e favorshëm gjeografik, 43-vjeçari ka hapur menjëherë breshëri armësh në drejtim të forcave të policisë.

Nga të shtënat e para të befasishme, inspektor Enea Mekolli humbi jetën në vend, ndërsa kolegu i tij Edison Adri mbeti i plagosur. Për të neutralizuar sulmin, policia iu kundërpërgjigj me zjarr, duke e plagosur autorin në dorë dhe duke bërë të mundur prangosjen e tij pas një arratie që zgjaste prej vitit 2017. Për shkak të terrenit të thyer malor, u desh ndërhyrja e helikopterit të urgjencës mjekësore për evakuimin e të lënduarve.

Profil i lartë kriminal dhe reagimi zyrtar

Autori Violand Braçellari rezulton një emër mjaft i njohur për drejtësinë, i dënuar në vitin 2017 me thuajse 10 vite burgim për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe i shpallur në kërkim për llogari të Vlorës. Për shkak të terrenit të vështirë dhe përgatitjes së tij ushtarake, ai u kishte shpëtuar më parë katër operacioneve të forcave speciale RENEA. Aktualisht ai ndodhet në spitalin e Korçës nën masa ekstreme sigurie.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili e dënoi me forcë aktin duke e cilësuar si një sulm ndaj rendit dhe ligjit, ndërsa garantoi se autori do të përballet me të gjithë forcën e drejtësisë.