Janë publikuar pamjet e para nga vendi i thellë malor ku fshihej autori i ngjarjes së rëndë të mëngjesit të sotëm në Maliq, Violand Braçellari.

Siç dallohet edhe nga pamjet e siguruara, 43-vjeçari kishte zgjedhur si vendstrehim një stan të pozicionuar në mes të një zone të pyllëzuar dhe me terren ekstremisht të thyer në njësinë administrative Lozhan.

Violand Braçellari, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ishte shpallur në kërkim pasi rezultonte i dënuar me rreth 10 vite burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë së Shtetit, pas informacioneve të sakta operative, kishin rrethuar stanin që në orët e para të mëngjesit dhe i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte e të dorëzohej në duart e forcave të rendit.

Në vend që t’i bindej urdhrit zyrtar, 43-vjeçari ka hapur zjarr të befasishëm me armë në drejtim të punonjësve të policisë. Nga ky sulm i përgjakshëm humbi jetën në vend inspektori i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, si dhe mbeti i plagosur rëndë efektivi tjetër, Edison Adri.

Ky i fundit është qëlluar me një plumb që i ka përshkuar faqen tejpërtej, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në strukturën e nofullës, dhe aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë nën kujdesin intensiv të mjekëve.