Pas gati 1 jave protestash masive qe sa vijne e shtohen jo vetem ane e mbane Shqiperise, por tashme edhe pertej Evropes, shefi i Qeverise ka bere nje reagim qe nuk pritej nga askush.

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar protestuesit që prej ditësh janë ngritur në revoltë kundër qeverisë, ndërsa kundërshtojnë edhe ndërtimet në Zvërnec e zonat e tjera të mbrojtura. Gjatë fjalës së mbajtur në Vlorë, në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në këtë qark, Rama përdori tone të ashpra ndaj pjesëmarrësve në protesta, duke i cilësuar ata si njerëz që “nuk kanë logjikë” dhe që janë “dërrasë nga truri”.

Kreu i qeverisë tha se nuk ka ndërmend të merret me persona që, sipas tij, nuk kuptojnë argumentet dhe faktet që paraqet qeveria.

“Nuk merremi me lloj-lloj njerëzish. Ka njerëz që nuk kanë logjikë fare, janë dërrasë nga truri”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

Dje para Kryeministrisë u mbajt protesta e gjashtë radhazi kundër Ramës dhe qeverisë së tij, ndërsa qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

Kryeministri i ka cilësuar budallallëqe ato që thonë mijëra protestues për Zvërnecin rreth projektit, teksa ka bërë sot (6 qershor) një tjetër reagim në rrjetet sociale.

Këtë herë duke publikuar një nga resortet e ndërtuara nga kompania e dy vëllezërve Alkhayatt nga Katari në atë që e cilëson brandi prestigjioz i Ananntara në Lindjen e mesme.

Kryeministri teksa lëvdon këtë realizim, i referohet protestuesve me fyerje, duke u thënë se këto budallallëqe e kanë lënë mbrapa Shqipërinë për 100 vite, edhe pse ata mblidhen përnatë me mijëra në shesh duke e denoncuar si një projekt antikombëtar.

“Tani kujt ia ha mendja se një kompani si Power Holding, vjen në Shqipëri të shkatërrojë reputacionin e vet me budallallëqet që thuhen për projektin, nuk kemi ç’i bëjmë. Po budallallëku që e ka lënë këtë vend mbrapa bote 100 vite, nuk ka për ta marrë dot peng Shqipërinë Europiane dhe Turistike”shkruan Rama, teksa e shoqëron edhe me foto.

Kryeministri Rama është shprehur kundër anulimit të projektit për Zvërnecin, ndërsa këta të fundit kërkojnë dorëheqjen e tij dhe plotësimin e 5 pikave të panegociueshme.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

“Ky ishull është në Katar dhe është një ndër destinacionet më të vizituara turistike të Lindjes së Mesme, i cili administrohet nga brandi prestigjoz Anantara.

E dini kush e ka zhvilluar?

Dy vëllezërit Alkhayatt, pikërisht bashkëpronarët e konglomeratit Power Holding, blerësit e tokës private dhe bashkëinvestitorët e projektit të Zvërnecit!

Tani kujt ia ha mendja se një kompani si Pwëer Holding, vjen në Shqipëri të shkatërrojë reputacionin e vet me budallallëqet që thuhen për projektin, nuk kemi ç’i bëjmë. Po budallallëku që e ka lënë këtë vend mbrapa bote 100 vite, nuk ka për ta marrë dot peng Shqipërinë Europiane dhe Turistike.

* Power International Holding është një konglomerat nga Katari me më shumë se 400 kompani, të organizuara në gjashtë sektorë kryesorë të ekonomisë, me një portofol të vlerësuar afërsisht 40 miliardë dollarë. Ka më shumë se 65,000 të punësuar dhe operon në 25 vende të botës”.