Skip to content

PIagosi me th*kë një 21-vjeçar në Durrës, arr*stohet autori i dyshuar. I gjenden pajisje për kriptomonedha dhe lidhje e paligjshme e energjisë

Policia e Durrësit ka vënë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes së rëndë me thikë të një të riu 21-vjeçar, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar.

Në kuadër të operacionit të koduar “Baza”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin E. P., 38 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se në zonën e njohur si “Baza e Hekurudhave” ka goditur me mjet prerës shtetasin L. I., 21 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit të dyshuar, policia gjeti dhe sekuestroi thikën e përdorur në krim, si dhe pajisje të shumta që dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave. Po ashtu, u zbulua edhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Pajisjet e sekuestruara janë marrë në dorëzim nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të cilët vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për të dokumentuar aktivitetin e paligjshëm të prodhimit të kriptomonedhave.

38-vjeçari tashmë përballet me një sërë akuzash penale, përfshirë:

“Plagosje e rëndë me dashje”

“Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”

“Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”

“Fshehja e të ardhurave”

“Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.

Published inTë fundit