Lezhë, 26 maj 2025 – Një vajzë e mitur 16-vjeçare është shpallur në kërkim nga policia e Lezhës, pas denoncimit të bërë nga nëna e saj për largimin e saj pa asnjë kontakt prej dy ditësh.
Sipas Policisë së Lezhës, qytetarja E. M., banuese në Lezhë, është paraqitur në Komisariat ditën e djeshme dhe ka raportuar zhdukjen e vajzës së saj, e cila është larguar nga banesa pa dhënë shenja jete. Deri më tani, rrethanat mbeten të paqarta, dhe autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë ndonjë konflikt familjar apo elementë me natyrë kriminale.
Oficerët e Policisë po punojnë për identifikimin e vendndodhjes së të miturës, duke analizuar dëshmitë e personave të afërt, llogaritë në rrjetet sociale si dhe thirrjet telefonike të realizuara ditët e fundit.
Policia bën me dije se materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, vijon puna për gjetjen sa më shpejt të vajzës së mitur.