Aksident në qendër të Tiranës, tre të mitur të plagosur pasi u përplasën nga një automjet në monopatina.
Rreth orës 10:30 të mëngjesit të sotëm, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është regjistruar një aksident rrugor ku janë përfshirë tre të mitur që lëviznin me monopatina.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet i drejtuar nga shtetasi E. K., rreth 41 vjeç, ka përplasur dy monopatina me të cilat udhëtonin tre fëmijë.
Të miturit, djem rreth moshës 15 vjeç, kanë pësuar dëmtime si pasojë e përplasjes dhe janë transportuar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Noa.al raporton se një prej tre të miturve është në rrezik për jetën, kurse gjendja e dy të tjerëve për momentin është e qëndrueshme.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprimet procedurale dhe hetimore që kërkon ngjarja.
Një grup i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. /noa.al